Mulliri i Bajram Currit, monument kulture i kategorisë I i është nënshtruar ditët e fundit restaurimit, për t’u kthyer në identitet.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën të ditur se ky objekt i është nënshtruar restaurimit me projekt të miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) dhe me fondet e buxhetit të shtetit. Kjo ndërtesë gjendet në fshatin Shoshan, Tropojë, daton në fundin e viteve 1800 dhe është një ndërtim që e gjejmë shpesh në zonën e Tropojës.
Sipas DRTK, Shkodër kemi të bëjmë me një ndërtim tip kullë guri, dykatëshe, mbuluar me furde pishe.
Mulliri i Bajram Currit ose siç thuhet nga vendasit Mulliri i Currit është ndërtuar me financimet e kësaj figure popullore në ndihmë të Malësisë së Gjakovës rreth 120 vite më parë.
Pas shumë kohësh ky mulli me vlera kulturore e historike po restaurohet, pasi për shkak të mosmirëmbajtjes rrezikonte të shembej.
Vizitorë kuriozë shkojnë shpesh drejt këtij monumenti tradicional, për natyrën e bukur, por edhe për të parë nga afër një dëshmi historike./atsh