Loading...

Elisa Spiropali: Eshtë një nder i madh të fitosh një mandat të tretë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, është edhe njëra prej tre drejtuesve politikë në qarkun e Tiranës para zgjedhjeve të vitit 2021.

Nga puna e saj dhe ekipit që do të drejtojë, mund të varet fitorja historike e PS-së, pasi Tirana bën diferencën në çdo zgjedhje.

Spiropali pranoi se socialistët kanë objektiv mandatin e tretë, pasi ka dallim shumë të madh me PD-në, që sipas saj nuk ka alternativë.

“Me pak fjalë fitorja, me shumë fjalë… Ne në Tiranë duam fitoren maksimale dhe besojmë se kemi të gjitha mundësitë, është shtuar numri i deputetëve edhe besojmë se mandatet e shtuara do të shkojnë për PS-në. Besojmë se në Tiranë, Kamzë, Kavajë, Vorë, Rrogozhinë, sa i përket punëve dhe buxheteve, ne jemi si nata me ditën me ata që kanë qenë”, – theksoi Spiropali.

Pse ajo beson se socialistët janë më të mirët?

“Të krahasosh sot bashkinë e Kamzës me mënyrën si qeveriste Xhelal Mziu është e pamundur. Edi Rama di që të krijojë ekip, si në bashki dhe në qeveri”, shtoi më tej Spiropali. – “Është një nder i madh të fitosh një mandat të tretë dhe ne besojmë se ky do të jetë një mandat historik, që asnjë forcë nuk e ka arritur. Kjo nuk na takon se jemi ne, por prej punëve që kemi bërë. Që të fitojë, PS-ja në çdo bashki të qarkut të fitojë më shumë se në zgjedhjet e 2017” – theksoi më tej ajo.

Por përse duhet që qytetarët t’i besojnë PS-së një mandat të tretë?

“Analiza nis nga reforma dhe përfundon te marrëdhënia me qytetarët. Po të analizosh reformat, vërtetë kanë qenë kthesa të forta. Nuk e bënin dot reformën në drejtësi ata, sepse ata e kontrollonin sistemin e drejtësisë. Kjo forcë asnjëherë nuk e ka tradhtuar procesin e reformës në drejtësi, ata as nuk donin ta votonin, dosjeve ua kanë vënë kapakun”, sjpegoi Spiropali.

Ajo u shpreh gjithashtu se opozita nuk e do Reformën në Drejtësi.

“Shikoni tani çfarë bëjnë për SPAK-un dhe BKH-në, ne nuk kemi asnjë gisht. Ata po sulmojnë ambasadoren amerikane dhe jo më SPAK-un, dëgjojini nga presidenti që është aspiranti për kryetar të opozitës. Sali Berisha është në fakt drejtuesi i PD-së dhe opozitës shqiptare” tha ajo. Sa i përket takimit të Edi Ramës sot me kryebashkiakët në Elbasan, Spiropali tha se në fokus ka qenë rindërtimi, investimet në zonë, etj. Partia Socialiste do të ndërtojë ekipin më të pastër dhe më me integritet, për mandatin e tretë qeveriës”.

Ministrja Elisa Spiropali u shpreh e sigurt për të fituar zgjedhjet e vitit 2021.

“Ne besojmë se do të bëjmë ekipin më të mirë këtë radhë, të pastër me integritet, edhe me besim, elektorat dhe vizion për të ardhmen tonë. Kriminalizimi i PS-së është një përrallë e treguar dhe përsëritur në mënyrë strategjike nga kundërshtarët tanë për të nxirë PS-në në pamundësi për t’i mundur, për të helmuar mjedisin politik”, tha ajo sot në studion e ABC News.

Por si do të bëjet kontrolli i figurave te pastra brenda partive?

“Çdo forcë duhet të bëjë një kontroll të kandidatëve sa mundësi ka. Ne nuk jemi as polici dhe as prokurori. Ne kërkojmë që të gjithë të plotësojnë formularin e dekriminalizimit, të jenë me integritet. Duhet të thotë të vërtetën, ndryshe përballet me SPAK-un dhe prokurorinë. Kjo vlen për PS, PD, LSI, etj” tha ministrja.

Por si do të funksionojë platforma për zgjedhjen nga baza?

“Do të ketë një mënyrë si do të prezantohen detajet. Do të jetë e ndarë në tre faza, nga shtatori në janar. Si drejtuesit e qarqeve, ashtu edhe deputetët, janë në proces të vazhdueshëm. Ne nuk mbledhim anëtarësinë për ta pyetur njëherë në Hënë” – tha ajo, duke ‘nënkuptuar’ PD-në.

E pyetur se me sa përqind do të hapen listat, Spiropali tha:

“Ndryshimet kushtetuese vetëm sa përcaktojnë kornizën. Aty thuhet të paktën 75% e listës, por mund të jetë edhe 100%. Presim të ulemi në Këshillin politik dhe Kuvend për të bërë ndryshimet për të sanksionuar mënyrën. Besoj se edhe nga fjalimi i kryetarit ne e kemi deklaruar që jemi gati të dalim të gjithë aty në fletë votimi të përballemi me elektoratin”.

PS, sipas saj, bën sondazhe dhe vepron bazuar mbi to.

“Ne bëjmë sondazhe, pyesim njerëzit dhe e dimë se çfarë duan: do të marrim vendimin më të mirë. Të gjithë do të përballemi me elektoratin. Nuk kemi bërë gjithçka që do të donim, por shumë rrugë drejt Shqipërisë Europiane” – u shpreh më tej Spiropali.

/NOA.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com