Kryeministri Rama tha sot se deklarata e Kryeministrit të Greqisë për zgjerim të kufirit detar nuk ka lidhje me Shqipërinë.
Në Vjenë, në një takim me gazetarët, kreu i Qeverisë u shpreh se me Greqinë po bisedohet, por ende nuk ka një marrëveshje për detin.
Sa i përket shtrirjes me 6 milje, sikundër pretendon edhe shteti fqinj, Rama thotë se kjo është një e drejtë e çdo vendi për ta bërë një gjë të tillë.
Në këtë pikë u shpreh se Shqipëria është shtrirë me 6 milje që në vitin 1990.
‘’Deklarata e kryeministrit Mitsotakis për zgjerimin e ujërave territorialë të Greqisë nuk ka lidhje me ujërat tona territoriale. Nuk ka lidhje me marrëveshjen me të cilën ne po punojmë, por që nuk e kemi arritur me palën greke. Nuk ka lidhje me asgjë nga ato që janë thënë në mënyrë të qëllimshme ose nga padituria për të nxitur një shqetësim në mënyrë artificiale.
Pse nuk ka lidhje? Sepse shtrirja në 6 mile plus në ujëra territorialë është e drejtë e çdo vendi. Këtë të drejtë Shqipëria e ka ushtruar, ne jemi shtrirë në ujërat tanë territorialë m 6 milje në vitin 1990. E kemi ushtruar këtë të drejtë, e kemi depozituar në OKB në vitin 1990, Greqia nuk ka çfarë konteston. Atyre që pyesim që ku po shtrihen, po ju them se midis ujërave territorialë të vendeve ka ujëra të ndërmjetëm. Pra, njësoj siç ka midis vendbanimeve dhe midis shteteve për të kaluar, ka dhe rrugë për të kaluar në det, që janë rrugët e përbashkëta”, tha Rama.
Ata që kanë folur për marrëveshje të mirëfilltë, sipas Kryeministrit, e bëjnë nga padituria ose qëllimisht për të krijuar shqetësime.
Shtoi se marrëveshje të tilla nuk mund të bëhen në fshehtësi. /noa.al/