Loading...

‘Politikani nuk është shkencëtar dhe qytetari nuk është injorant’

OPINION Nga Artan FUGA

Bisedë miqësore të dielën në mëngjes

Pershendejte profesor.

Kam ndjekur cdo status tuajin per gjate gjithe kohes se fushates per zgjedhjet lokale dhe respektoj shume cdo mendim tuajin. Por kam nje pyetje qe nuk di t’i jap pergjigje.

Imagjinojme sikur te kishim dy apo me shume parti politike serioze, qe per garen zgjedhore te paraqesnin ne publik programe te krijuara me kujdes nga studime mjaft profesioniste (p.sh qindra pika ku do paraqitej menyra e zhvillimit ekonomik afatgjate, drejtimi qe duhet te marre arsimi, aplikimi i teknologjise se fundit ne pika kyce per zhvillimin ekonomik, programe te ndryshme mbi afrimin e te rinjve me artin e kulturen etj etj etj).

Si mund te lihet ne dore te votuesve, ketyre votuesve qe jane ne Shqiperi, te keqarsimuar, zgjedhja se kush nga programet tejet profesioniste (ketu e kam fjalen qe per fushen teknologjise, bie fjala, te degjohet mendimi i profesionisteve me te mire, dhe jo budalleqet e ‘politikaxhinjve’ gjate gjithe kohes ne media) eshte me i mire per komunitetin, kur ata nuk e kane idene jo vetem se cila eshte me e mira e komunitetit, por edhe se cila eshte me e mira e tyre personale.

Artan Fuga:

I nderuar mik , ndjesë sepse nuk kam mundur ta lexoj mesazhin më parë mesazhin tuaj. Ndërkaq mendoj se pyetja juaj shumë e drejtë, e ka përgjigjen.

Duhet të dalim nga kuptimi klasik i demokracisë kur politikani ka mendim të specializuar shkencor dhe i drejtohet një qytetari që gjithashtu është ekspert. As politikani nuk është mendimtar shkencor, as qytetari nuk është ekspert që të dijë të gjykojë programet ekonomike. Ky është një koncept utopist i demokracisë që ka ardhur deri te Kanti. Por, më pas dhe sot përpunohen të gjitha mekanizmat që e zgjidhin këtë problem.

E para, opinioni i gjerë publik nuk është një turmë. Brenda tij ka lidera opinioni që dinë gjëra edhe më mirë sesa politikanët dhe janë qytetarë të thjeshtë, që kanë besimin e miqve dhe të rretheve të tyre familjare dhe shoqërore. Ata luajnë rol të madh në demokracitë e zhvilluara. Ata në fushat përkatëse dinë shumë më tepër sesa të gjithë politikanët e marrë së bashku.

E dyta, kur masa nuk është masë e papunësh dhe e papronësh, atëhere secili i njeh shumë mirë interesat e tij dhe di të gjykojë për to më mirë se çdo politikan apo ekspert ekonomie. Nuk i di me teori por me interesat e veta si aksioner, si pronar i vogël ose i mesëm, i bën mirë llogaritë.

Së treti, në demokraci të vërtetë, qytetari nuk lihet kështu në injorancë si e kemi lënë ne, por njeh filozofinë, gjeografinë, ekonominë, financat aq sa i duhet për të kuptuar programet politike që duhet të jenë të qarta dhe konkrete dhe jo me terma të vështirë gjoja shkencorë.

Ndërkaq edhe politikani vetë, është edhe ai pothuajse injorant në të gjitha fushat ku nuk është specialist. Ja të pyes: Sa politikanë janë specialistë bankarë? Ose ekspertë të administrimit? Pra, nuk duhet paraqitur situata sikur politikani është i gjithëditur dhe qytetari injorant. Joooo! Nuk është e vërtetë.

Pastaj në fund një shoqëri e vërtetë e emancipuar, ka mediat dhe gazetarët, ka analistët e vërtetë, ka mediat e specializuara që popullarizojnë dijet që qartësojnë idetë dhe programet dhe nuk janë propagandistë thjesht si te ne.

Ja pra që është e mundur. Fajin nuk e ka qytetari, por politikani që e ka lënë atë në errësirë, pa dije, pa kulturë, pa pronë, dhe pastaj e trajton si budalla!

Unë kam besim se kjo gjendje kapërcehet shumë mirë dhe jam optimist, mjafton të ketë vullnet politik jo nga politikanët sepse ata nuk e kanë, por nga qytetarët që të duan të ngrihen nga niveli i “nën-njerëzve”.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com