Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekoroi pas vd ekjes me titullin më lartë simbolet e përkryera të Rilindjes tonë Kombëtare, siç tha ai, tre vëllezërit Frashëri.
Presidenti ishte sot në Frashër të Përmetit, ku edhe vlerësoi me “Dokoratën e Flamurit Kombëtar” vëllëzërit Avdyl, Naim dhe Sami Frashëri.
“Është një lumturi e veçantë të jem sot në Frashër, në këtë vend të shenjtë për kombin shqiptar, në djepin që përkundi me dije dhe atdhedashuri simbolet e përkryera të Rilindjes tonë Kombëtare, Frashërllinjtë e mëdhenj, Abdyl, Naim e Sami”, tha Meta para se të akordonte dekoratat.
“Frashëri vezullon dritë kombëtare patriotike dhe qytetare në çdo kohë”, u shpreh kreu i shtetit.
Lidhur me motivacionin e dekurimit të tyre, Meta tha:
“Për kontributin e pazëvendësueshëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe Rilindjes kulturore e letrare, në shërbim të mbrojtjes së territoreve shqiptare dhe luftës për Pavarësinë e Shqipërisë, pata sot nderin të vlerësoj në vendlindjen e tyre, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën në Republikë, vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri”.
“Tre Pishtarë të Dijes dhe Atdhedashurisë, burra shteti me vizion dhe personalitet të jashtëzakonshëm që nuk kursyen asgjë për lirinë dhe lartësimin e kombit shqiptar, me aktualitetin e veprës së tyre na udhëheqin edhe sot drejt integrimit europian”.
“Është koha për të ecur në gjurmët e Rilindasve të vërtetë, për të rrëzuar çdo mur dhe për t’u çliruar nga çdo e keqe që synon të mbajë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
/NOA.al