Situata në Kakavijë erdhi si papërgjegjësi e qeverisë, e cila u justifikua duke i drejtuar gishtin Greqisë.
Është kjo bindja e Presidentit Ilir Meta, i cili deklaroi se Kryeministri Edi Rama ka përgjegjësi edhe si ministër i Jashtëm në detyrë, për situatën e krijuar me emigrantët që prisnin të ktheheshin në Greqi.
“Çfarë informacioni dhe sqarimi u është dhënë njerëzve? Çfarë paralajmërimesh ka vërë qeveria shqiptare, a ka pasur një njoftim nga ministria mbi kuotën e kalimit të qytetarëve? Radhë të gjata ka pasur edhe në kohë të tjera dhe muaji gusht mbetet tepër i ngarkuar, aq më tepër në këto situata, ku kërkohej një trajtim i veçantë që të parandalohej ajo. Askush nuk i informoi qytetarët dhe për më tepër qeveria i fajësoi edhe vetë qytetarët dhe kjo është e pafalshme dhe e papranueshme”, u shpreh kreu i shtetit.
Ai bëri me dije se do i çojë që nesër një kalendar qeverisë, për të pasur parasysh frekuencën e kalimeve në kufi gjatë një viti, kohën kur vijnë dhe e kohën kur largohen.
“Jemi vend rekord për emigrantët ndaj të gjithë, e në mënyrë të veçantë Kryeministri, ministrat e linjës, dhe strukturat kryesore duhet të ndjekin me përparësi lëvizjen e shtetasve tanë, të freskojnë informacionin për lëvizjen jashtë kufijve dhe të sigurojë tampon falas për emigrantët, një tampon prej 120-140 eurosh është i papërballueshëm për familjet me disa pjesëtarë. Qeveria duhet të subvencionojë tamponët dhe të marrë masat që situata të mos përsëritet në asnjë pikë të kalimit të kufirit”, deklaroi Presidenti. /noa.al