Duke nisur nga dita e sotme, e diela e 16 gushtit, kush kthehet në Greqi do të bëjë një javë karantinë, si masë e marrë nga autoritetet greke për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Ndërsa puna ka vijuar edhe gjatë natës për kalimin e emigrantëve, sërish pika kufitare e Kakavijës, ka radhë.
Ndërkohë duke nisur nga e hëna e 17 gushtit, nga pika kufitare e Kakavijës do të kenë mundësi të kalojnë vetëm 750 persona në ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës vetëm 300 persona në ditë, në fashën orare 06:00 deri në orën 22:00, konform rregullave të vendosura nga pala greke, si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19.
Të gjithë ata shtetas të cilët plotësojnë kriteret e vendosura për të udhëtuar drejt Greqisë (qytetarët me shtetësi greke, personat që kanë leje qëndrimi në Greqi, personat me kartë minoritari, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi, si dhe ata që e kanë të domosdoshme të udhëtojnë për arsye profesionale-pas marrjes së lejes së posaçme) nga dita e hënë, duhet të paraqesin në kufi edhe dokumentacionin sa më poshtë:
-Testin negativ të COVID-19 (RT-PCR), i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Ky rregull nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç.
-Vërtetimin diagnozë të përkthyer në anglisht, në të cilin duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/numri i kartës së identitetit të individit.
-Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF, me kodin QR (nga adresa elektronike https://travel.gov.gr).
Bëhet me dije se testi i COVID-19 (RT-PCR) është i vlefshëm vetëm nga laboratorët e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat mund ti gjeni në faqen zyrtare: https://shendetesia.gov.al/mbi-njohjen-e-strukturave-jopublike-per-kryerjen-e-testit-rt-pcr/