Presidenti Ilir Meta përkujtoi sot një nga ikonat e futbollit shqiptar, mesfushorin energjik të Luftëtarit, Partizanit dhe ekipit kombëtar, Lefter Millo.
“Si sot, 54 vite më parë, në Derviçanin e dashur, lindi një nga ikonat e futbollit shqiptar, mesfushori energjik i Luftëtarit, Partizanit dhe Ekipit Kombëtar, Lefter Millo, të cilin përherë do ta kujtojmë me respekt e mirënjohje”, tha Meta.
I pagëzuar nga tifozët e dashamirësit me nofkën “Traktori”, për talentin dhe mjeshtërinë e rrallë në fushën e blertë, Meta tha se “Lefter Millo, la gjurmë të thella e të paharruara në historinë e futbollit shqiptar, së bashku me shumë korifej të tjerë si Panajot Pano, Vasillaq Zëri, Arjan Xhumba e Arjan Bellai, të cilët edhe pse me kombësi greke, e nderuan me besnikëri dhe devocion fanellën Kuq e Zi dhe ngritën lart emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke u kthyer shembuj të jashtëzakonshëm për brezat e rinj e veçanërisht në simbole të bashkëjetesës së shkëlqyer ndëretnike në vendin tonë.
Meta shtoi se “futbolli ynë ka nevojë për modelin e vyer të Lefter Millos, i cili shkëlqeu edhe me ekipet më të mira të Greqisë, për shpirtin e tij të garës, dëshirën dhe vendosmërinë për të fituar, dhe jam i bindur se minoriteti grek do t’i japë sportit shqiptar të tjera talente dhe legjenda si ai”.
“U largua nga jeta aksidentalisht në kulmin e formës sportive, kur të gjithë prisnim të jepte maksimumin e tij, për të mbetur përgjithmonë në memorien tonë si fitimtari i dyluftimeve, i paepur, energjik dhe triumfues, për këdo që e adhuronte për karakterin dhe pasionin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e blertë. Lefter Millo është shembulli se si një fëmijë fshati vetëm falë pasionit, këmbënguljes dhe talentit mund të arrijë majat e suksesit. Mezi pres të rikthehem në Derviçian për të nderuar këtë legjendë të futbollit Kuq e Zi”, shtoi Presidenti./atsh