Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj ka dhënë dorëheqjen. Pas 27 vite shërbim pranë sistemit të gjykatave në Shqipëri, Malaj ka vendosur të largohet me argumentin se nga data 1 gusht do të nisë një marrëdhënie të re pune.
Malaj dorëheqjen e tij e ka zyrtarizuar përmes një shkrese drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku ka falenderuar ata që i kanë qëndruar pranë.
“Kam patur privilegjin të punoj në disa gjykata të vendit tim dhe të jem kryetar në Gjykatën e Apelit Tiranë, dhe të lë gjurmë positive në karrierën time. Prandaj, ndjehem krenar për vete, kolegët, por mbi të gjitha familjen tim…”, shkruan Malaj.
“Duke patur parasysh se dorëheqja nga detyra dhe mbarimi i statusit të magjistratit është një proces automatik, i detyrueshëm, një algoritëm, kam pranuar gjithashtu edhe heqjen dorë nga ky status. Unë jam plotësisht i bindur në ushtrimin nga ana juaj të kompetencave kushtetuese dhe ligjore për të pranuar dhe vijuar sa më shpejt me këtë kërkesë, pasi detyra e re më kërkon që ky vendim të merret sa më shpejt të jetë e mundur. Askush nuk është i pagabueshëm, as unë, por i kam qëndruar besnik Kushtetutës”, shprehet Malaj.
Tashmë lidhur me këtë vendim të z. Malaj pritet të shprehet dhe KLGJ. /atsh