Komisioni i Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit i rekomandon Këshillit të Lartë të Prokurorisë emrin e Aida Veizaj, për pozicionin e drejtorit të BKH-së.
Sipas njoftimit të publikuar sot, Komisioni i Përzgjedhjes së Drejtorit të BKH-së ka përfunduar procesin e identifikimit të kandidatit më të mirë për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në përputhje me dispozitat e Ligjit, për “Organizimin dhe funksionimin e Institucioneve për të luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” (SPAK).
Komisioni i Përzgjedhjes zhvilloi dy mbledhje në datat 24.07.2020 dhe 27.07.2020, në prani dhe të Komisionit të Pavarur të Rishikimit, i përbërë nga dy përfaqësues të Bashkimit European dhe dy përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Në njoftimin për shtyp, bëhet e ditur se “Komisioni pasi shqyrtoi dokumentacion e katër kandidatëve që kishin ngelur në garë, konkretisht, Artur Beu, Ervin Hodaj, Idajet Faskaj dhe Aida Veizaj, në raport me kriteret e parashikuara, që duhet të plotësojë Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, pasi administroi dhe “Opinionin këshillues të Komisionit të Pavarur të Rishikimit”, vendosi që t’i rekomandojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, emërimin e Aida Veizaj, në pozicionin Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një mandat pesëvjeçar”.
BKH njofton se në ditët në vijim do të njoftojmë datën kur Drejtori do të fillojë detyrën dhe kur do të nisë procesi i rekrutimit të hetuesve të BKH-së. /atsh