Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Në fjalën e tij për mediat, pas takimit që u mbajt në Presidencë, Basha e vuri theksin tek bashkëpunimi i ngushtë mes forcave politike, gjë që sipas tij, e forcon Kosovën në sfidat me të cilat përballet.
Thaçi tha se “sot diskutuam për zhvillimet në Kosovë në Shqipëri, për mundësitë e bashkëpunimit më të mirë, një bashkëpunimi vëllazëror mes institucioneve tona dhe njerëzve tonë. Destinacioni i Kosovës është që të jemi sa më shpejt pjesë e NATO-s dhe e BE-së. Mendoj se çdo përvojë pozitive nga Shqipëria dhe përvoja e kontributi i Bashës në këtë proces në veçanti për liberalizimin e vizave është e rëndësishme për ne institucionet e vendit”.
Po ashtu, Thaçi shtoi se diskutuam dhe për dialogun mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.
“Për ne, është me rëndësi jetike që të kemi një koordinim, e para mes spektrit politik në Kosovë, një konsensus sa më të gjerë, sa më përfshirës, në mënyrë që të jetë një angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, politike, partive, institucioneve. Gjithmonë kontributi i Shqipërisë ka qenë i mirëseardhur, ndërsa gjithashtu është jetike për ne dhe faktorin ndërkombëtar të jetë i koordinuar së pari Bashkimi Europian, por edhe një koordinim i ngushtë mes Washington-it dhe Brukselit në mënyrë që të jetë një proces i sigurt, i besueshëm, pastaj edhe i pranueshëm nga qytetarët e Kosovës dhe që duhet të përmbyllet me njohje reciproke sa më të shpejtë që është e mundur”, tha Thaçi
Nga ana e tij, Basha falënderoj Presidenti Thaçi për shkëmbimin e informacionit për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në Shqipëri dhe hapat që po hidhen në drejti të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me objektiv final njohjen reciproke.
Basha tha se “bashkërendimi i të gjithë forcave politike të Kosovës, bashkëpunimi i tyre vetëm e forcon dhe e fuqizon Kosovën në sfidat në të cilat po përballet aktualisht. Po kështu, si parti e orientimit Euroatlantik, kam theksuar bindjen dhe besimin se bashkërendimi i ngushtë midis SHBA dhe BE, ka qenë dhe mbetet një parakusht për suksesin e çdo iniciative ne raport me stabilizimin përfundimtar dhe perspektivën europiane dhe euroatlantike të gjithë vendeve të rajonit që e dëshirojnë këtë dhe në veçanti sa i përket dialogut besoj dhe shpreh bindjen se një bashkërendim i tillë do ta fuqizojë, do ta përshpejtojë procesin e dialogut me synim njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Shpreha mbështetjen totale timen dhe te Partisë Demokratike, të opozitës së bashkuar për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe të politikës në Kosovë, në vevcanti për ata që kanë sakrifikuar këto 22 vite për lirinë e Kosovës dhe që u duhet të vazhdojnë të sakrifikojnë në plan personal për të siguruar vazhdimësinë e fruteve të lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit njerëzor për gjithë qytetarët e Kosovës dhe në veçanti për presidentin Thaçi dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij. Ju Faleminderit!
Ai shprehu mbështetje për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe të politikes në Kosovë, në veçanti për ata që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës dhe që u dihet të sakrifikojnë në plan personal për të siguruar vazhdimësinë e fryteve të lirisë të pavarësisë dhe të dinjiteti njerëzor për gjithë qytetarët e Kosovës, në veçanti për presidenti Thaçi dhe të gjithë bashkëpunëtoret e tij./atsh