Me vendim të qeverisë shqiptare nga sot do të ndalohen klubet e natës, diskot, lounge bar dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre.
Njoftimi është dhënë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu duke theksuar se prioritet nr.1 për qeverinë shqiptare është mbrojtja e jetës së qytetarëve.
“Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 milionë lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare. Sipas këtij akti, ndalohet muzika pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 milionë lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore”, bëri të ditur Manastirliu.
Ky vendim, sipas Manastirliut, vjen pasi është konstatuar që në këtë periudhë, klubet e natës janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke i shndërruar në vatra potenciale infeksioni.
Manastirliu në komunikimin e saj ka bërë apel qytetarëve që të zbatojnë masat e vendosura dhe të përshtaten me normalitetin e ri si e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten dhe të afërmit tanë.
“Prioriteti ynë nr.1 është mbrojtja e jetës së qytetarëve. Me vetëm këtë prioritet në mendje, do të marrim të gjitha masat e nevojshme”, tha Ministrja e Shëndetësisë.
Manastirliu ka apeluar për zbatimin rigoroz të masave të distancimit social, higjienës vetiake, përdorimit të maskës, dhe çdo lloj mase tjetër që autoritetet shëndetësore rekomandojnë për mbrojtjen e shëndetit./atsh