Loading...

Angazhimi frontal i Policisë e ka bërë kanabisin në Shqipëri një alternativë pa të ardhme

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi sot se lufta frontale kundër kanabisit e ka shkatërruar në themel të gjithë ngrehinën kriminale të ngritur në vend, që nga kryeqendra në Lazarat, e deri në kthinat më të thepisura të maleve të Shqipërisë.

“Kur Partia Demokratike flet për kanabisin, përkufizimi i hipokrizisë bëhet vetë PD. Themeluesit krenarë dhe shfrytëzuesit e paskrupullt të kryeqytetit europian të kanabisit, Lazaratit, e kanë humbur të drejtën morale për të drejtuar gishtin ndaj kujtdo në këtë vend për këtë temë, por jo vetëm për këtë”, th Lleshaj.

Duke reaguar pas publikimit të dy fotove të parcelave me kanabis nga PD, Lleshaj tha se “janë jo vetëm një fiasko në aspektin informativ, po edhe një tjetër shembull i radhës së PD nuk i intereson e verteta, po dizinformimi i publikut”

Policia e Shtetit, bëri të ditur ministri, ka shkatërruar prej ditësh jo vetëm dy parcelat në fotot e lodhura të PD, që mesa duket i kanë dhembur ndonjë kultivuesi a lidhjeje biznesore të vetë PD, por edhe dhjetëra parcela të tilla në të gjithë vendin.

“Lufta frontale kundër kanabisit e ka shkatërruar në themel të gjithë ngrehinën kriminale të ngritur në vend, që nga kryeqendra në Lazarat, e deri në kthinat më të thepisura të maleve të Shqipërisë. Sigurisht që ende ka e do ketë kokëshkretë që përpiqen të vijojnë veprimtarinë kriminale. Por shanset e suksesit për ta tanimë janë shumë afër zeros”, tha më tej ministri.

Sipas tij, angazhimi frontal i Policisë dhe institucioneve të tjera shtetërore e kanë bërë kanabisin në Shqipëri një alternativë pa të ardhme.

“Në vitin 2019 në bregdetin italian u sekuestrua sasia më e ulët historike e kanabisit. Të gjithë treguesit e nivelit të sigurisë në vend dhe ata të rezultateve në luftën kundër krimit, përfshirë kanabisin, janë në nivelet më të mira historike. Asgjë nuk mund të krahasohet me kohën kur vendin e qeveriste lazaratopatia”, informoi ai.

Krahasimi i këtyre treguesve me kohën e qeverisjes së PD, vijoi Lleshaj, prodhon diferenca aq të mëdha, sa që vetë krahasimi i ngjan një abuzimi.

“Në fushën e sigurisë, mund të jesh më mirë nga koha edhe sikur të mos bësh asgjë. Ndaj ne as nuk krahasohemi me trashgiminë e PD dhe as nuk shpërqëndrohemi nga tymnajat e saj dezinformuese”, u shpreh ministri.

Sipas tij, lufta për çrrënjosjen përfundimtare të kanabisit vazhdon me intensitet maksimal dhe qytetarët ftohen të kontribuojnë me informacion, pasi kështu secili ndihmon për një Shqipëri më të sigurt.

Reagimi i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj vjen pas deklaratës së Sekretarit për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata i cili ka paraqitur pamje të parcelave me kanabis, që sipas tij tregon se Shqipëria prej dy vitesh po mbillet fuqishëm me drogë.

“Kjo foto është bërë së fundmi në Kukës. Kjo tjetra i përket plantacioneve me kanabis në Labëri. Kështu është në Malësinë e Dukagjinit, në Malësinë e Krujës, të Tepelenës, të Gramshit, në fshatrat e Beratit, të Vlorës, madje edhe në periferi të Tiranës”, u shpreh Gjata.

Sipas tij, Shqipëria prej 2 vjetësh është rimbjellë fuqishëm me drogë, por policia është urdhëruar të mos shikojë, të mos dëgjojë, të mos shqetësojë bosët e drogës në partneritet me qeverinë.

Ndërkohë pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, ka reaguar Partia Demokratike e cila përmes një deklarate shprehet se: “Akuzat e rreme të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj kundër Partisë Demokratike për çështjen e kanabisit janë identike me ato të paraardhësit të tij Saimir Tahirit para 4-5 vjetëve, kur droga transportohej me avion dhe qeveria bënte sikur vriste mushkonja”.

“Fotot e publikuara sot janë vetëm maja e ajzbergut e siperfaqeve të mbjella me drogë kudo në Shqipëri. Janë prova se kultivimi i kanabisit ka bekimin e kësaj qeverie, të deputeteve dhe kryebashkiakëve të Edi Ramës. Shqipëria është e mbushur plot me kanabis. Kudo është mbjellë drogë dhe fakt është se nuk ka asnjë bos droge të arrestuar, nuk ka asnjë Drejtor Policie të larguar”, shprehet PD./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com