ADISA ka filluar punën në Elbasan me 19 sportele që ofrojnë dhjetëra shërbime në një zyrë të vetme.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deputetja e PS-së, Evis Kushi si dhe kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, inspektuan sot nga afër ambientet e ADISA-s, ku qytetarët tani marrin shërbimet në kushte bashkëkohore të infrastrukturës, por mbi të gjitha një shërbim të qytetëruar dhe korrekt.
Zyrat e shërbimeve me një ndalesë i kanë dhënë fund ecejakeve të qytetarëve nga një zyrë në tjetrën, shpenzimeve të panevojshme dhe kanë minimizuar mundësitë për korrupsion në zyrat e shtetit.
Në kushtet e pandemisë një vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së protokollit të sigurisë së qytetarëve dhe punonjësve.
“Jam shumë e impresionuar nga numri i madh i shërbimeve që ofrohen dhe nag cilësia e shërbimeve, sistemi elektronik, menaxhimi i radhës dhe shumë elementë të tjerë që minimizojnë kohën e pritjes së qytetarëve që të mos sorollaten më në zyra të ndryshme. Ne e kemi mbështetur shumë këtë projekt gjigant në gjithë Shqipërinë dhe një nga drejtimet që kemi punuar më shumë ka qenë dixhitalizimi i shërbimeve publike për qytetarët”, tha Kushi.
Ndërsa Balla vlerësoi se “kjo zyrë me standardet më të mira europiane përmbledh pothuajse të gjitha shërbimet publike që qytetarët kanë nevojë të marrin”. “Qytetarët janë të lutur të mos vijnë më vërdallë nëpër zyra, por t’i drejtohet zyrës së ADISA-s që është në pozicion qendror në Elbasan. Janë të lutur të vijnë në këtë zyrë, ku 19 operatorë ofrojnë shërbim. Në kushtet e pandemisë të COVID-19, në hyrjen e çdo zyre shtetërore ka një person që kërkon mbajtjen e maskës, matet dhe temperatura. Gjithashtu dua t’u them edhe punonjësve të ADISA-s që halli i çdo qytetari duhet zgjidhur. Edhe në rast se nuk zgjidhet dot duhet dëgjuar me vëmendje, pasi unë kam bindjen se çdo hall e ka një zgjidhje, por veshi i punonjësit të administratës duhet të jetë i dëgjueshëm”, tha Balla. /atsh