Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 55 raste të reja pozitivë me COVID.
Flutura Beqo, ekspertë pranë ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se ‘ gjate 24 orëve të fundit në vendin tonë vazhdon të jetë i lartë numri i rasteve te reja te prekur nga COVID-19 në Tiranë, ndërsa ka dhe raste të reja në bashkitë e tjera të vendit. Që në fillim të këtij komunikimi, ju rikujtojmë detyrimin për vendosjen e maskës në ambientet e mbyllura për çdo qytetar, me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19. Situata paraqitet serioze në spitalin infektiv, ku në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 3 qytetarë, të cilët po trajtoheshin në terapi intensive, të intubuar.
Një 52 vjeçar nga Tirana, një 57 vjeçar nga Kukësi dhe një 59 vjeçar nga Korça, nuk e kanë fituar dot betejën me COVID-19, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve’.
Beqo tha po ashtu se “aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 106 pacientë, 9 pacientë janë në terapi intensive dhe 1 prej tyre është i intubuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 431 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 55 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 39 raste në Tiranë, 4 në Vlorë, 3 në Kukës, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Kavajë, nga 1 rast në Shkodër, Elbasan, Kamëz. Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është më i lartë se numri i të identifikuarve pozitive me COVID-19′
‘Janë shëruar 77 qytetarë, duke e çuar në 2214 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1585 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura, në transportin publik dhe kudo ku nuk ruhet dot distancimi fizik. Higjiena dhe zbatimi i protokolleve është detyrim ligjor për çdo biznes, për të mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve nga përhapja e COVID-19.
Edhe në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Coronavirusi, duhet të izoloheni, dhe të telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19’, shtoi ajo.
COVID-19 – Statistika (17 Korrik 2020)
Testime totale 34,606
Raste pozitive 3,906
Raste të shëruara 2,214
Raste Aktive 1,585
Humbje jete 107 (Qarku Tiranë 55, Shkodër 17, Durrës 16, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 3, Kukës 2, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1, Korçë 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 737
Durrës 206
Shkodër 187
Vlorë 105
Lezhë 84
Kukës 54
Korçë 49
Elbasan 42
Fier 39
Berat 37
Dibër 24
Gjirokastër 21/atsh