Loading...

Lufta ndaj kanabisit/ Operacione policore në tre qarqe, procedohen 11 zyrtarë

Policia e Shtetit ka proceduar dhe zyrtarë, të cilët me veprimet apo mos veprimet e tyre lejuan aktivitetin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Policia e Shtetit njoftoi se gjatë ditës së enjte ka zhvilluar operacione policore antikanabis në tre qarqe, ku janë proceduar 11 kryepleq apo drejtues njësie vendore.

Kështu, sipas Policisë, në Librazhdi ka vijuar kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, shtetasit: Sh. H., kryeplak i fshatit Mirakë, B. Zh., administratori i njësisë administrative Polis dhe R. Ç., inxhinier pyjor në bashkinë Librazhd, të tre banues në fshatin Mirakë, Librazhd, pasi në masivin pyjor të fshatit Mirakë, si rezultat i kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike, të cilat u asgjësuan.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që janë të implikuar në ketë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale”, njofton Policia.

Në Durrës, janë arrestuar 2 shtetas, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Si dhe janë proceduar penalisht 7 kryepleq në fshatrat e Durrësit dhe Krujës dhe kryetari i Njësisë Administrative Cudhi, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrollit masiv të territorit, në fshatin Vardardhë, Njësia Administrative Sukth, në një ambient të hapur, kanë konstatuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A. T., 43 vjeç dhe H. H., 34 vjeç, banues në Vardardhë, Sukth.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi Q. D., me detyrë kryeplak i fshatit Vardardhë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Po gjatë kontrollit të territorit, janë evidentuar disa raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u proceduan penalisht shtetasit: O.K., me detyrë kryetar i Njësisë Administrative Cudhi, S. V., A. P., G. F., M. H., A. B. dhe S. S., me detyrë kryepleq të fshatrave Cudhi Zall, Bruz Zall, Shkretë, Cudhi Kampt, Bruz Mal dhe Mafsheq, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë kryer detyrën sipas ligjit, për të informuar Policinë për kultivimin e bimëve narkotike në zonat që ato mbulojnë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Në Shkodër, kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas një pune të mirorganizuar dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë kapja e shtetasve në kërkim L. N., 25 vjeç dhe D. N., 57 vjeçe, të dy banues në fshatin Mazrek, Shkodër.

Kapja dhe ndalimi i tyre u bë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com