Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton”.
Duke reaguar ndaj deklaratës së Presidentit Ilir Meta, Kryeministri Rama tha se “Ilir Meta thotë ndryshimi i sistemit, heqja e koalicioneve, hapja e listave bëhen vetëm me referendum. Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s’do ndryshojë, as koalicionet s’do ndalohen, po listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton”.
“Sa për modelin lindor, modeli i koalicionit që kemi s’është as perëndimor, as jugor, as verior dhe prandaj nuk gjendet askund në lindje a në perëndim. Modeli i ri do të jetë gjerman e plotësisht europian, koalicion tamam, me zë, figura e program, jo kosh karavidhesh pa din as iman”, – tha Rama.
Presidenca reagoi pas deklaratës së Kryeministrit Rama duke theksuar së “në Shqipëri kanë ndodhur dy referendume dhe në të dyja herët ka fituar populli”.
“Padyshim edhe referendumin e tretë do ta fitojë populli. Sepse në Republikën e Shqipërisë, sovraniteti i përket popullit dhe vetëm atij. Mos kini frikë nga populli”, reagon zyra e shtypit e Presidencës./atsh