Loading...

Kuvendi miraton dy projektligje dhe rrëzon një dekret të Presidentit

Kuvendi zhvilloi sot seancën plenare ku u miratuan dy projektligje: projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për diasporën” me 95 vota pro, 9 kundër dhe 5 abstenime dhe projektligjin “Për ratifikimin e Konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe transferimit të fitimeve (BEPS)” me 93 vota pro.

Seanca e sotme votoi kundër dy nismave ligjore të deputetëve.

Kuvendi votoi kundër projektligjit nismë të deputetit Artur Roshi, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar”” i votuar kundër në parim me 32 vota pro, 76 kundër dhe 1 abstenim.

Kuvendi votoi kundër edhe nismës ligjore të deputetit Myslim Murrizi, “Për moshën e daljes në pension pleqërie të pilotëve në Republikën e Shqipërisë” me 35 vota pro, 71 kundër dhe 4 abstenime.

Sot u votua edhe kundër dekretit të Presidentit të Republikës “Për kthimin në Kuvend të ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”” me 16 vota pro 86 kundër dhe 7 abstenime./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com