Zëvëndësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale njëherazi edhe kryetare e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli thotë se maska ka qenë e detyrueshme në të gjitha protokollet pas fazës së hapjes.
Në një nga mediet e vendit, Rakacolli u shpreh se në fazën e hapjes nisi të mos respektohej mbajtja e barrierave, pra e maskave ndaj edhe u mor vendimi i sotëm nga Ministria e Shëndetësisë.
“Maska ka qenë e detyrueshme në të gjitha protokollet e hapjes. Me kalimin e ditëve filloi të mos respektohet. Vendimi i komitetit është vënia në zbatim e atij vendimi që është marrë. Nuk është një gjë e re. Maska është për t’u përdorur në të gjitha ambientet e mbyllura”, tha Rakacolli.
Lidhur me procesin e kryerjes së testimeve, zv.ministrja tha se tamponë ka mjaftueshëm për të gjithë nevojat që ka sistemi shëndetësor.
“Kjo është një vazhdimësi e po asaj strategjie qe kemi pasur, nuk ka qenë përcaktuar numri i testeve por mënyra se kujt do t’i bëhen këto teste, si njerëzit e dyshuar që i kanë shenjat klinike të Covid. Pikërisht kjo shkon në përputhje me shtimin e rasteve. Rastet shoqërohen me shtim të personave të kontaktit, përkatësisht edhe me shtim të numrit të testeve. Mund të them me shumë përgjegjësi që tamponë ka mjaftueshëm, ka për te gjithë nevojat që ka sistemi, mbi 90 mijë teste”, tha ndër të tjera Rakacolli./atsh