Loading...

Koalicionet nuk do ndalohen/ Deklarata e Wadephul zhgënjyese, nënçmoi parlamentin e Shqipërisë

“Koalicionet as nuk do të ndalohen dhe as nuk mund të ndalohen, por ato thjesht duhet dhe do të jenë si në çdo vend të Europës ku partitë kanë lirinë dhe të drejtën të grupohen dhe paraqiten me kandidatët e tyre”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për shtyp.

Kryeministri Rama reagoi sot ndaj deklaratës së djeshme të nënkryetarit të grupit parlamentar CDU/CSU, Johann Wadephul, lidhur me reformën zgjedhore.

“Gjermania është një pikë referimi e mbarë botës, natyrisht edhe e jona për gjithçka ajo mishëron si shtet shembullor për funksionimin e demokracisë dhe rendit ligjor, por edhe si lokomotivë e pazëvendësueshme që tërheq me fuqinë e saj si shtet por edhe me shembullin e saj Europën”, tha Rama.

Rama tha se “deklarimi i djeshëm i Wadephul është zhgënjyes në planin etik, i nxituar në planin institucional dhe i zhbalancuar në planin politik”.

“Wadephul është një mik shumë i mirë i Bashës dhe i imi personalisht. Kam komunikim të vazhdueshëm me të dhe e çmoj shumë përkushtimin e tij për të ndihmuar në lehtësimin e marrëdhënieve politike në Shqipëri. Çmoj shumë edhe faktin se është europian i vendosur dhe mbështetës i palëkundur i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor. Respekti dhe mirënjohja ime për çdo orë, dhe nuk janë pak orë në gjithë këtë periudhë më shumë se 1-vjeçare, që ai ka shpenzuar për Shqipërinë nuk ndryshon, pavarësisht deklarimit të djeshëm”, tha Rama.

Rama tha se “deklarimi i djeshëm nënçmon parlamentin e Shqipërisë duke e trajtuar sikur të ishte një noter pa të drejtë fjale i një marrëveshje që patjetër duhet zbatuar, këtu jemi 100% dakord jo vetëm me fjalë por edhe me votën e sotme”.

“Por ajo marrëveshje nuk mund të jetë kusht për ta ndaluar parlamentin të shkoj përtej saj duke demokratizuar më tej zgjedhjet. Ky është nxitimi në planin institucional. Në planin etik deklarimi ishte zhgënjyes sepse nuk mund të flitet me të dëgjuar por me fakte të verifikuara. Natyrisht ai nuk e ka sajuar, por e ka dëgjuar se nisma kushtetuese ndalon koalicionet. Kjo është thjesht e pavërtetë. Koalicionet as nuk do të ndalohen dhe as nuk mund të ndalohen. Ato thjesht duhet dhe do të jenë si në çdo vend të Europës ku partitë kanë lirinë dhe të drejtën të grupohen dhe paraqiten me kandidatët e tyre, si CDU me partinë simotër CSU. Si mundet të ndalohet një gjë e tillë? As nuk na ka shkuar në mend”, tha Rama.

Ndërkohë, ai tha se “në planin politik deklarata e Wadephul është e zhbalancuar se mban krahun e opozitës jashtëparlamentare dhe nuk e ndihmon mirëkuptimin parimor mes të gjitha palëve mbi këtë temë me rëndësi të veçantë”.

“Unë dua të merrem me thelbin për t’u sqaruar me të gjithë, qofshin shqiptarët që e mirëpresin hapjen e listave dhe mundësinë për të dhënë një pëlqim për deputetin, qofshin dhe miqtë e partnerët. Më vjen keq për faktin se në deklarimin e djeshëm flitet deri në vënien në pikëpyetje të perspektivës europiane të Shqipërisë, ndërkohë që qoftë Bundestagu, qoftë Këshilli Europian nuk i kanë vënë kusht Shqipërisë të bëjë të lumtur Lulzim Bashën, as të bëjë marrëveshje jashtë parlamentit me partitë që e braktisën atë, as të marrë pëlqimin e Lulzim Bashës për nismat që parlamenti merr në cilësinë e ushtruesit të vullnetit të popullit shqiptar”, tha Rama.

Ai theksoi se “Bundestagu dhe Këshilli Europian kanë kërkuar miratimin e një reforme elektorale bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, që nuk mund të gjykohet dhe nuk duhet të gjykohet mbi bazën e anësive politike dhe fjalëve, por duhet të gjykohet dhe jam i bindur se kështu do gjykohet kur mjegulla të jetë shpërndarë, mbi bazën e fakteve”.

“Unë nuk jam penduar as pendohem që e pritëm në pafundësi opozitën jashtëparlamentare në tryezë, gjë që e shtyu shumë procesin për realizimin e kësaj reforme. Bëmë marrëveshje me të duke i dhënë gjithçka kërkoi, edhe përtej dëshirës sonë. Ne nuk donim që përsëri Shqipëria të mos depolitizonte administratën zgjedhore. Qëllimi ynë ishte depolitizimi i menjëhershëm, plotësisht i mundur dhe absolutisht i dobishëm për procesin por falë edhe ndihmës së Wadephul marrëveshja u krye dhe ne në dakordësi edhe me miqtë dhe partnerët e shpërfillëm rekomandimin bazë të OSBE/ODIHR-it, depolitizimin e administratës zgjedhore”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “unë nuk pendohem dhe nuk do të pendohem për këtë, por faktet janë të rëndësishme”.

“Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që të gjykojmë mbi produktin dhe të gjykohemi për produktin jo për fjalët apo mbi nivelin e pakënaqësive të një aktori politik apo një tjetri. Kjo është jashtë kornizës së rekomandimeve dhe kushteve të BE-së dhe kjo është pjesë e procesit demokratik të brendshëm ku aktorët kanë karakteristikat dhe pëlqyeshmëritë edhe papëlqyeshmëritë e tyre normale si në çdo vend të botës”, tha Rama.

Rama tha se beson që “është koha që të gjithë të shikojnë faktet e t’i lëmë mënjanë aktorët, pëlqimet, paragjykimet, gjykimet e bazuara mbi fjalë apo mbi dizinformacion”.

“Të shikojnë faktet, çfarë po bën Shqipëria. Mos vallë Kuvendi i Shqipërisë po ndërmerr ndonjë nismë për t’i dhënë pushtet të pakufizuar ndokujt, siç ka ndodhur edhe së fundi në ndonjë vend jashtë Europës? Jo. Çfarë po bën Shqipëria, po u thotë qytetarëve që ju tani e tutje nuk do të votoni vetëm për partinë por edhe për deputetin që ju pëlqen. Kjo përbën një arsye që perspektiva europiane e Shqipërisë të errësohet? Nuk besoj”, tha Rama.

“Çfarë po bën Shqipëria? Po i jep popullit të vetë mundësinë të ketë më shumë zë në vendimmarrje nga ata që do marrin prej tij dhe kjo e cenon perspektivën strategjike të Shqipërisë? Nuk besoj. Çfarë po bën Shqipëria, po heq koalicionet? Jo, në asnjë mënyrë jo. Po krijon një kuadër ku koalicionet do të funksionojnë si në çdo vend të Europës dhe jo si një ‘rrap pas dushkut’. Ju kujtohet dushku dhe historia e devijimit të votës? Ti voton për njërin, votën e merr tjetri. Si mund të kemi ne një sistem ku vetëm në Tiranë kemi 3 mijë kandidatë mesatarisht. Ku është parë kjo dhe ku ata që marrin vota për një parti ja çojnë partisë tjetër etj. Kaq po bën Shqipëria dhe nëse ka në këtë nismë diçka që nuk përputhet me standardet jam absolutisht i gatshëm të dëgjoj se ku. Por nuk është standard pëlqimi dhe mospëlqimi i Lulzim Bashës. Ky nuk hyn në standardet ndërkombëtare si emocion se si argument jo e jo”, tha Rama.

Sipas tij, “kërcënimi që opozita jashtëparlamentare bën: ‘Si themi ne ose këtu do bëhet nami’ nuk funksionon, nuk ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë”. “Nuk funksionon në pikëpamje të politikës së brendshme por është në planin kombëtar një akt i dënueshëm dhe dënimin e jep populli me votë. Unë jam shumë respektues ndaj të gjithë miqve dhe partnerëve tanë. Për mua çdokush në botën e sotme me kaq shumë halle e probleme, që gjen kohë dhe angazhohet për të ndihmuar, meriton vetëm mirënjohje. Por një gjë është e qartë në të gjithë vijën e sjelljes sime nga dita e parë në këtë detyrë që biem dakord ose s’biem dakord për të gjitha. Mund të biem dakord përgjithësisht për të gjitha, por ndonjëherë ka edhe gjëra që duhet t’i konfrontojmë”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com