Loading...

“Punë gjigande në sistemin shëndetësor”/ Manastirliu: Testimi ka vlerë thelbësore, po të njëjtën vlerë ka dhe ndërgjegjja individuale

/ “Shqipëria është më mirë në raport me vendet e tjera, por të krahasohesh për numrin e fataliteteve është e dhimbshme. Kjo sepse është diçka e rëndë në radhë të parë për viktimën, pastaj për familjarët dhe të afërmit”.

Kështu deklaroi sot në një intervistë televizive ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Prisnim më shumë bashkëpunim nga ana e qytetarëve dhe prisnim numra më të vegjël tanimë. Me relaksimin e masave, pësuam edhe relaksim të sjelljes, duke shmangur masat për COVID-19. Kemi pasur madje edhe grumbullime, që mund të kenë pasur efekte negative. Sot kemi rreth 90 mijë teste në pozicion”, tha Manastirliu duke shtuar se po punojmë për të shpëtuar sa më shumë jetë.

Sipas ministres, pandemia ka ardhur në një fazë të re, ka më shumë vatra dhe kjo duhet pasuar me rregulla nga shoqëria.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “po bëhet një punë gjigande në sistemin shëndetësor. Janë 130 ditë që mjekët infermierët, epidemiologët, Shërbimi i Urgjencës Kombëtare, të gjithë mjekët në sistemin shëndetësor dhe infermierët janë duke punuar natën dhe ditën”.

Lidhur me dyfishimin e testimeve Manastirliu tha se “e para duhet të rivlerësojmë testimet e shtuara, por testimi nuk bëhet thjesht për të testuar, ai bëhet për të gjurmuar dhe izoluar. Gjurmimi është super i mundshëm dhe në momentin që teston ti gjurmon, heton. Lidhesh me mjekun e familjes i raporton rastin. Mjeku i familjes ndjek, udhëzon. Është një punë kapilare, nuk është se përfundon me testimin”.

Ministrja Manastirlu tha se “po vijojmë të shtojmë kapacitetet tona. Testi është një gjë, nuk e garanton 100%, pasi ti mund të testohesh sot dhe të dalësh negativ dhe pas 3 ditësh mund të rezultosh i infektuar. Jemi në një epidemi dhe testimi ka vlerën thelbësore po të njëjtën vlerë ka dhe ndërgjegjja individuale. Nëse merr 127 dhe thotë se duhet të rrish i izoluar në banesë duhet të rrish në banesë dhe nuk mund të dalësh. Jemi në një moment të transmetimit komunitar në qytete të caktuara”.

Sipas saj, kush ka simptoma duhet patjetër të vetëizolohet.

Lidhur me zbatimin e masave, Manastirliu tha se “ne ndërtuam 4 skenarë dhe ndërkohë që ishim në izolim, punuam. Në fund të majit, ndërkohë që disa mendonin se virusi nuk ekzistonte, ne rregulluam spitalin në aksin Tiranë-Durrës. Adaptuam spitalin e Kirurgjive të vjetra. I kemi marrë dhe po punojmë për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme. Thelbi është se përveç masave që po marrim, duke ndjekur strategjinë duhet të respektojmë masat, distancimin fizik, ndërsa maskat janë të detyrueshme brenda ambienteve publike”.

“Solidariteti është një nder elementet kyç në gjithë këtë krizë shëndetësore. Jam e bindur se të gjitha vendet do të gjenden në rastet e tilla. Për të mos vajtur në atë pozite, si Italia, ne kemi marrë masa për mjekë dhe infermierë rezervë”, – tha Manastirliu./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com