Loading...

Bimët mjekësore/ Vlera e eksporteve u rrit në 1.7 miliardë lekë në 5-mujorin e parë të vitit

Shqipëria ka një traditë të hershme në prodhimin dhe eksportin e bimëve mjekësore dhe aromatike.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, shprehet se “më shumë se 95% e totalit të bimëve të mbledhura, eksportohen. Ndërkohë 3/4 e sherebelës së importuar nga SHBA është me origjinë nga Shqipëria”.
Denaj bën të ditur se, “në periudhën janar-maj 2020 vlera e eksportit të bimëve medicinale ishte rreth 1.7 miliardë lekë, duke ruajtur trendin në rritje”.
Sipas statistikave në 5-mujorin e parë të vitit 2016, eksportet e bimëve mjekësore shënuan vlerën 1.3 miliardë lekë, në vitin 2017 u eksportuan bimë mjekësore në vlerën 1.2 miliardë lekë dhe në 2019, eksportet u rritën në vlerën e 1.5 miliardë lekëve.
Bimët mjekësore dhe aromatike (BMA-të) janë një sektor tradicionalisht i orientuar nga eksporti, me tregje të zhvilluara dhe potencial të mirë për rritje.
Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të BMA-ve në botë. Eksporti i BMA-ve arrin gati 20% të totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë.

Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando,
etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esenciale, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.

Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin.
Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e
sektorit të BMA-ve. Më shumë se 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare,
nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.

BMA-të janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale. Sondazhet tregojnë se në disa zona rurale pothuajse të gjitha familjet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga grumbullimi i BMA-ve. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com