Loading...

Përfaqësuesja e OBSH në Shqipëri: Rikthimi i izolimit të plotë nuk është një mundësi, sa kohë që respektohen masat mbrojtëse

Përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Bettina Menne tha sot në një intervistë televizive se shifrat e fundit të rasteve të reja me COVID-19 janë mjaft shqetësuese dhe se tregojnë numrin e lartë të personave të infektuar që mund të jenë përreth nesh.

“Kanë kaluar 4 javë që numrat janë rritur vazhdimisht, 80-90 raste në ditë. Ajo që është shqetësuese është që kemi pasur 35 ose 36 viktima dy javët e fundit, shifra të cilat janë më të larta se cfarë kemi pasur 2 muajt e parë të pandemisë. Kështu që ka më shumë njerëz përreth që e mbartin virusin, në shumë raste nuk shfaqin asnjë simptomë. Kjo nënkupton që të kemi infektime në komunitet, në qytete sidomos në qytete të mëdha”, u shpreh ajo.

“Por në qytete të vogla kemi vatra të vogla që mund të mbahen nën kontroll. Ekziston mundësia e rritjes së numrit të të infektuarve sepse ka shumë raste në vend, në tërësi dhe ka një rritje të të pranuarve në spitale dhe siç e keni ndjekur ju, ka pasur dy-tre persona që kanë humbur jetën cdo ditë, javët e fundit dhe kjo është tejet shqetësuese sidomos duke konsideruar moshën e tyre, disa prej të cilëve janë më të rinj se 60 vjeç”, tha ajo.

Sipas saj, virusi është shqetësues si për Shqipërinë, si për vendet ballkanike apo ato vendet e Bashkimit Europian pasi virusi nuk është zhdukur ende dhe mund të prekë secilin prej nesh, në çdo moment, në veçanti nëse nuk marrim masa mbrojtëse.

“Sigurisht që COVID-19 përbën shqetësim për këtë vend, si të gjitha vendet e tjera ballkanike apo vendet e Bashkimit Europian. Virusi nuk është zhdukur, ai është ende këtu dhe mund të prekë secilin prej nesh në cdo moment, në veçanti nëse nuk marrim masa mbrojtëse. Qeveria juaj, Ministria e Shëndetësisë kishte miratuar një strategji rihapjeje, përveç strategjisë së rihapjes ata kishin përcaktuar edhe nivelet e rrezikshmërisë, duke i grupuar në shkallë të ulët, shkallë të mesme dhe të lartë. Për momentin vendi nuk ka rritur ende në një shkallë me rrezikshmëri të lartë, kështu që rikthimi i izolimit të plotë nuk është një mundësi, sa kohë që masat respektohen dhe rastet nuk shtohen dukshëm. Kjo gjë është tejet bazike. Dhe po ashtu parë edhe nga këndvështrimi i OBSH-së nuk ka nevojë për vendosjen e një izolimi të plotë, sa kohë që masat mbrojtëse respektohen në masë të theksuar nga të gjithë ne”, u shpreh Menne.

Ajo thotë se në çdo vend gjithsecili duhet të ruajë një distancë prej 1-2 metra ose 1.5 metra nga njëri-tjetri dhe maskat duhet të jenë gjithmonë me ne, sa herë dikush duhet të dalë jashtë dhe sidomos personat mbi 60 vjeç.

“Nëse gjendeni në një spital ose qendër shëndetësore përdorni gjithmonë maskë. Thjesht vendosni ato. E di se disa lloje janë të shtrenjta, veçanërisht ato të cilat kanë filtra të veçantë. Por ju bëj thirrje grave dhe nënave në shtëpi, ju mund t’i qepni ato vetë në shtëpi, mjaft të jenë me tri shtresa, të cilat mund të duken edhe të lezetshme. Kështu që përdorni maskat. Mos dilni jashtë në orët kur e dini se do të ketë mbipopullim në ato zona. Kur gjendeni në një dyqan, jo vetëm në supermarkete, kërkoni dezinfektues dhe ruani distancën. Kërkoni kamerierëve të përdorin maskën për vete. Kështu që rregulli i parë, të gjithë ne të respektojmë masat mbrojtëse, të gjithë ju, të gjithë qytetarët e këtij vendi. Përndryshe do të ketë një rritje të numrit të rasteve, e cila do të çonte në shtrëngim të masave siç mund ta shihni edhe në rastin e Serbisë gjatë fundjavës. Ose siç mund ta keni ndjekur në lajme edhe në Australi. Kështu që mund të vendosej një izolim i ri dhe askush nuk e do më këtë gjë. Veçanërisht gjatë verës”, është shprehur Menne/atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com