Kancelarja gjermane, Angela Merkel u kërkoi europianëve solidaritet dhe një miratim këtë verë të planit masiv të rimëkëmbjes, i destinuar për të dalë nga kriza e koronavirusit, në një fjalim para eurodeputetëve për fillimin e presidencës gjermane të BE-së.
“Ne kemi nevojë për një solidaritet të jashtëzakonshëm, të gjithë janë të gatshëm, Gjermania në mënyrë të veçantë, për të kapërcyer pandeminë, për të marrë përsipër pasojat”, deklaroi Merkel para eurodeputetëve.
Pas një takimi me krerët e institucioneve europiane, Charles Michel, Ursula von der Leyen dhe David Sassoli, kancelarja uroi për një ratifikim sa më të shpejtë nga shtetet anëtare të planit të rimëkëmbjes, aktualisht në negocim.
“Pjesëmarrësit ranë dakord që arritja sa më shpejt e një marrëveshjeje për planin ambicioz europian të rimëkëmbjes do të jetë prioriteti kryesor i Bashkimit Europian në javët e ardhshme”, sipas një komunikate të katër drejtuesve.
Ata e gjykuan thelbësore që krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve të BE-së të bien dakort gjatë samitit të ardhshëm më 17-18 korrik.
Ky samit i jashtëzakonshëm do të jetë i pari që do të mbledhë fizikisht drejtuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së që prej fillimit të pandemisë.
Ata do të duhet të shprehen me unaimitet për planin europian të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh, i propozuar nga Komisioni Europian.
Sipas Angela Merkel, “koha kalon” për një marrëveshje.
“Më të varfërit i kanë xhepat bosh”, theksoi ajo para eurodeputetëve.
“Është e rëndësishme që rajonet që janë prekur më shumë nga kriza dhe personat që jetojnë në këto rajone të përfitojnë solidaritetin tonë. Është në interesin e të gjithëve”, nënvizoi kancelarja.
“Por, përpjekjet që janë të nevojshme sot nuk duhet të bëhen thjesht nga vendet më të forta ekonomikisht”, shtoi ajo duke iu drejtuar vendeve të ashtuquajtura “të kursyera” si Holanda, Austria, Suedia , Danimarka, shumë të rezervuara mbi këtë plan nga i cili do të përfitojnë mbi të gjitha vendet e Jugut, më të prekurit nga pandemia./atsh