“Shpëtimi i hebrenjve është një histori, e cila përmban brenda detyrimin për të gjithë ne, për ta ruajtur jo thjesht si një histori tregohet në momente ceremoniale apo ditët e shënuara, as si një pjesë e historisë sonë si shqiptar, por si një vlerë e madhe që duhet trashëguar brez brezi që duhet kaluar me përkushtim fëmijëve tanë sepse brenda saj ka shumë anë, si anët e një guri të çmuar që ngado ta rrotullosh shkëlqen duke krijuar vezullime e ngjyra të ndryshme”.
Më këto fjalë iu drejtua sot Kryeministri Edi Rama pjesëmarrësve në ceremoninë e përurimit të Memorialit të Holokaustit në Tiranë, ku ishin të pranishëm ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim,ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri, etj.
Duke e konsideruar realizimin e memorialit një dëshmi të prekshme të faqes më të ndritur të mikpritjes dhe besës shqiptare, Rama tha se “qysh kur isha kryetar i bashkisë së Tiranës, patëm nisur të mendojmë dhe të konsultojmë projektin”.
“Më vjen shumë mirë që sot ky memorial është i përfunduar dhe pjesë e një hapësire të bukur publike ku dhjetëra mijëra familje, gjyshër, gjyshe, nipër, mbesa, çifte të reja me karrocat e bebeve kalojnë dhe do të mund t’u tregojnë fëmijëve të tyre kuptimin e fjalëve të shkruara në këta tre gurë, që jo rastësisht kanë tre gjuhë, gjuhën hebreje, gjuhën shqipe dhe gjuhën e atyre që me forcën e fuqisë së madhe në kërkim të një bote më të mirë bën të mundur çlirimin e mbarë botës së bashku me aleatët e tyre nga mallkimi i madh nazist”.
“Historia e mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është një histori mahnitëse, por nuk është fillimi i historisë së një marrëdhënieje vërtet shumë të çuditshme mes shqiptarëve hebrenjve dhe mes popullit hebre dhe Shqipërisë, e cila daton në shekullin e dytë pas erës sonë, kur për herë të parë hebrenjtë u shfaqën në brigjet e Adriatikut dhe më pas në shekujt XV-XVI, kur ata u rishfaqën dhe u instaluan në pika të ndryshme. Por nuk dua të zgjatem me këtë pjesë, të cilën e solla thjesht për të ndarë me ju një aspekt të kësaj çudie të madhe që mbetet për t’u eksploruar dhe kuptuar më mirë deri në fund”, – nënvizoi Rama.
E dyta, vijoi Kryeministri, që besoj vlen të kujtohet është se përpara Luftës së Dytë Botërore, përpara sesa kjo marrëdhënie të shpërfaqej në formën më fisnike dhe mbresëlënëse dhe mbrojtjes e shpëtimit të jetës së hebrenjve Shqipëria ishte i vetmi vend që në legjislacionin e saj kishte të miratuar Shabatin.
“Që do të thotë se të gjithë qytetarët që jetonin në këtë vend dhe i përkisnin popullit hebre kishin të drejtën të mos punonin ditën e premte dhe askush nuk kishte të drejtën që për këtë t’iu ndërpristë shpërblimin për punë. Pa u zgjatur në shumë episode të historisë që i pararendin kapitullit mahnitës të kësaj marrdhënieje në Luftëne Dytë Botërore, dua të them me bindje që Shqipëria me episodet, me personazhet, me momentet epike të përpjekjes së njerëzve të drejtë që botërisht ndihmuan hebrenjtë mbetet një njollë në ndërgjegjen e Hollivudit që ka prodhuar disa kryevepra lidhur më këtë epokë, por që me siguri do të kishte prodhuar shumë më tepër kryevepra edhe më të pabesushme nëse do të ishte referuar ndaj episodeve të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se janë realitete nga më të mahnitshmet që nga udhëtimi me kuaj i një familjeje, e cila për 24 orë transportoi 17 hebrenj. “Ishte familja Biçaku në momentet e ndërrimit të pushtuesve menjëherë pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe okupimit nga Gjermania naziste. Apo rasti i familjes Myrto në Kavajë, që deri në fund i qëndroi besnik mikut hebre qe kishte marrë në mbrojtje duke sakrifikuar njërin prej anëtarëve të vet, vëllain e mikpritësit që u mor në kampin e Mathauzenit dhe nuk u kthye më që andej. Pra, jeta e vëllait nga gjaku u bë kurban për të mbrojtur e shpëtuar një vëlla nga Zoti me të cilin lidhja ishte se që të dy ishin krijuar si njerëz . Apo familja e Nuro Hoxhës që i dha strehim katër familjeve hebreje, njëra prej të cilave dëshmon se në momentin e hapjes së derës dëgjoi nga i zoti i shtëpisë fjalët e pabesueshme por të konfirmuara më pas nga realiteti i mbrojtjes dhe shpëtimit: “Rrini të qetë asgjë e keqe nuk do ndodhë, nga sot unë e im bir do përgjigjemi me jetë për ju””, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama tha se “është i vetmi vend Shqipëria me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se sa para Luftës së Parë Botërore, është gjithashtu i vetmi vend ku hebrenjtë nuk ikinin, por vinin për të kërkuar mbrojtje e shpëtim”.
“Mbetet e jashtëzkonshme për vetë historinë e klerit shqiptar. Këtu shoh të gjithë përfaqësuesit e nderuar të klerit shqiptar sot, autoritetet më të lartë të të cilit u thirrën në Berlin në kohën e një vakumi ku ata u konsideruan si pala me të cilët pushtuesit mund të komunikonin dhe të negocionin. Atyre iu kërkuan dy gjëra, e drejta mbi arin e Shqipërisë së depozituar në Itali dhe lista e hebrenjve të strehuar në Shqipëri. Të gjithë përfaqësuesit më të lartë të klerit të asaj kohe të krishterë e muslimanë dhanë një përgjigje që besoj është një nga fjalët e arta të historisë së këtij viti dhe historisë së vetë klerit: “Arin po, hebrenjtë jo”, përfundoi kryeministri Rama/atsh