Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se për ndërtimin e segmentit Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian do të shpenzohen zero lekë nga buxheti i shtetit.
Duke folur në Kuvend, ministrja Balluku tha se Hill International – lideri i konsorciumit me Deloitte dhe LDK Consultant ka asistuar MIE në hartimin e studimit të fizibilitetit dhe paketës së dokumenteve për koncesionin.
Kjo kompani tha ajo është një kompani me eksperiencë në menaxhimin e projekteve, menaxhimin e ndërtimeve dhe infrastrukturore, inxhinierinë e kostos dhe vlerësimin, sigurimin e cilësisë, inspektimin, planifikimin, menaxhimin e rrezikut për klientë të përfshirë në projekte të mëdha ndërtimi dhe infrastrukture në të gjithë botën.
“Kam zgjedhur të flas nga foltorja e Kuvendit për t’iu përgjigjur çdo pretendimi të ngritur nga deputetët në këtë sallë dhe atyre që nuk i zë gjumi natën pse qeveria shqiptare ka lancuar një tjetër projekt të rëndësishëm, jo thjesht një projekt, por fillimin e ndërtimit të një ëndrre të shqiptarëve prej vitesh”, tha Balluku.
Duke i cilësuar si “ zëdhënësit e qametit”, Balluku shpjegoi edhe arsyen se pse nuk u hodhën dokumentacionet e tenderit në APP.
“E kam ndaluar unë në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë fuqiplotë, sepse pak minuta pas lançimit të projektit ju të gjithë u turrët në ekrane për të vjell, nuk është më baltë, tashmë është bërë zift. I kërkova pjesëtarëve të grupit të punës, ekspertëve që kishin firmosur dhe dëgjuam deklaratat tuaja dhe morëm e analizuam të dhënat se mos ndoshta kishit ndonjë fije të vërtetë, apo ndonjë numër që na paska shpëtuar ne apo ekspertëve ndërkombëtarë të Hill International. Kam unë një pyetje për ju: Kush janë ekspertët tuaj? Unë të mitë i kam prezantuar dhe po i prezantoj sërish. Janë Hill International – lideri i konsorciumit me Deloitte dhe LDK Consultant që i janë atashuar prej 4 vitesh qeverisë shqiptare me fonde të BE-së. Këta janë ekspertët tanë dhe po punojnë për ne”, deklaroi ministrja.
Sipas Ballukut, Partia Socialiste e ka marrë Ministrinë e Transporteve në shtator të vitit 2017 dhe opozita e ka patur për 12 vite dhe nuk ka arritur të bëjë atë që bëri ministri socialist paraardhës, Damian Gjiknuri dhe ajo vetë.
Lidhur me vendimin për të ndërtuar me koncesion rrugën, Balluku tha se këto vendime i takojnë qeverisë shqiptare dhe vendimi është marrë pas një analize.
Balluku tha se kjo rrugë kushton 1 miliard 118 milionë euro dhe kosto e saj është e papërballueshme nga buxheti i shtetit.
“Nga analiza e ministrisë së Financave rezultoi se është e pamundur të përballohet kjo kosto nga buxheti edhe qeveria mori vendimin për ta ndërtuar me koncesion. Qeveria shqiptare nuk vendos asnjë qindarkë. I gjithë investimi do të vijë nga investitori privat, që përmes një gare ndërkombëtare, duhet të garojë me të tjerët, për të ardhur me investimin më të madh, cilësinë më të mirë dhe çmimin, pagesën e rrugës më të ulët”, tha Balluku.
Ministrja Balluku tha se projekti parashikon ndërtimin e rreth 63 kilometrave në gjurmën ekzistuese, por të rehabilituara në kategorinë A dhe kategorinë B.
Sipas saj, kjo për të mos rritur koston e shpronësimeve si dhe për të mos dëmtuar bizneset dhe banorët përreth rrugës. “Gjurma ekzistuese do të përdoret vetëm për të ndërtuar një autostradë të re mbi të“, tha Balluku.
Duke iu referuar analizës financiare, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se kjo autostradë do të kushtojë 0.075 euro për kilometër.
Ministrja tha se ndryshe nga qeveria e djathtë ne do të bëjmë rrugët dytësore.
“Segmenti do të ketë edhe rrugët dytësore, të cilat do të jenë një alternativë për qytetarët, të cilët do të kenë mundësi të zgjedhin mes rrugës së shpejtësisë me pagesë, apo rrugëve ndihmëse, të cilat do të jenë të mirëmbajtura nga i njëjti investitor, por pa pagesë për qytetarët. Rrugët dytësore do të jenë detyrim për t’u ndërtuar nga kompanitë fituese të përfshira në koston e përgjithshme”, tha ministrja.
“Ju nuk keni problem me projektet, thjesht nuk doni të shikoni këtë vend të ndërtuar”, iu drejtua Balluku opozitës./atsh