Loading...

Brataj apel qytetarëve: Shifrat ulen brenda dy apo tri javëve nëse zbatoni 3 rregulla

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, gjatë një interviste televizive, pasditen e të martës është shprehur se zbatimi i tre rregullave nga qytetarët si: mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, distancimi fizik dhe higjiena, do bëjnë të mundur uljen e numrave të të infektuarve brenda dy apo tri javëve.

Shefi i Urgjencës Kombëtare Shëndetësore ka shpjeguar rritjen e rasteve me koronavirus përgjatë muajit të fundit, duke deklaruar se kjo ka ardhur për shkak të lirimit të masave të sigurisë.

“Me hapjen e masave do të kishte një rritje të të infektuarve dhe të sëmurëve, po ashtu dhe viktimave. Kjo është një formulë që ecën paralel. E pamë që izolimi dhe distancimi fizik funksionon. Nëse ne nuk do të ishim më pak se 1 metër e gjysëm larg nga njëri-tjetri do kishim më shumë të infektuar. Suedia ka deklaruar se po të ishte ndjekur izolimi nuk do kishim këtë numër viktimash. Ishin disa kushte që ndikuan në numrin e ulët në muajt e parë. Ndoshta u zgjat pak më shumë dhe njerëzit kishin një padurim për të dalë”, – tha Brataj

“Zgjatja e karantinës çoi deri në 2 të infektuar në ditë. Në muajin e dytë dhe të tretë njerëzit u shfaqën më të zhgënjyer. Këto çuan në uljen e vigjilencës nga njerëzit. Pas hapjes pati një javë pa rritje dhe u mendua se u zhduk koronavirusi. Këto shifra do të jenë reale dhe në muajin korrik. Janë procese fiziologjike të sëmundjes. Sado masa të marrësh, tashmë transmetimi është komunitar, nuk ka më një vatër. Nga 23 janari për ngritjen e Komitetit të Ekspertëve janë shpërndarë mjete mbrojtëse, veç trajnimit të personelit”, – tha Brataj.

Ai tha se njerëzit tashmë duhet të mësohen të bashkëjetojnë me virusin. Sipas tij, qytetarët nëse zbatojnë tre rregullat kryesore për mbajtjen e maskave në ambientet e mbyllura, ruajtjen e distancës dhe higjienën, shifrat do të bien brenda dy-tri javësh.

“Çdo qytetar që ka simptoma ta konsiderojë veten pozitiv dhe të sillet sikur është pozitiv. Tamponi ka një përqindje gabimi 20% në të gjithë botën. Me njerëzit asimptomatikë mund të jetë më shumë deri në 50%. Prandaj tamponi duhet të bëhet kur ke simptoma. Po të zbatohen rregullat për dy-tri javë do ulen shifrat. Ne duhet të bashkëjetojmë me virusin. Të vëmë maskën, të zbatojmë distancën dhe të ruajmë higjienën”, – tha Brataj. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com