Loading...

“Menaxhim shumë herë më i mirë i hapësirës së plazheve”/ Klosi: Fluksi ka nisur, kontroll më i madh nga strukturat lokale

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në drejtimin e kryetarit Niko Peleshi, në mbledhjen virtuale të radhës, shqyrtoi dy akte normative të Këshillit të Ministrave, që lidhen me masat e marra nga qeveria për përballimin e situatës së pandemisë dhe efektit të saj në turizëm.

Fillimisht u shqyrtua Akti Normativ “Për marrjen e masave të përkohshme për mbështetjen e sektorit të turizmit”, i cili u prezantua nga Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit dhe u relatua për komisionin nga deputeti Ilir Beqaj.

Ministri Klosi sqaroi se Akti normativ përcakton masat e veçanta që do të merren në sektorin e turizmit për agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë dhe klientët e tyre në ofrimin e një shërbimi turistik, nga dita e shpalljes deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësië natyrore të shkaktuar nga COVID-19, me qëllim mbështetjen e sektorit të turizmit, si dhe parashikon rregulla për operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, si dhe klientët e tyre.

Klosi u shpreh se në të gjitha vendet e rajonit është bërë e njëjta procedurë, duke shtuar se: “ka qenë një ndër kërkesat e para që kanë pasur operatorët turistikë, të cilët në fillimin e pandemisë, kur dhe situata ishte ende e paqartë u gjendën përballë një presioni shumë të madh nga klientët, të cilit kishin prenotuar pushimet e tyre, madje kishin paguar një pjesë të pushimeve apo gjithë pushimet”.

Ai shtoi se Akti Normativ nuk ka efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit dhe brendia e tij është vendosja e një raporti të munguar kontraktor midis klientëve dhe kompanive turistike.

Klosi tha se tashmë jemi në fushën tonë “pusho shqip” apo “unë qëndrojë në Shqipëri” nisma që i shërben rigjallërimit të turizmit në vendin tonë, në kushtet e vështira që ka krijuar pandemia.

Ministri tha se, hapësirat publike në plazhe për qytetarët, janë në administrimin e bashkive dhe janë ato, që marrin përsipër menaxhimin e këtyre plazheve dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, kushtet higjenosanitare e kështu me radhë.

“Jemi në fillim të korrikut dhe fluksi në plazhe ka filluar ndaj kërkon impenjim më të madh kujdesi dhe kontrolli nga strukturat përkatëse lokale. Sot kemi ndarjen transparente të plazheve publike kundrejt hapësirës që i takon strukturës turistike dhe sot në të gjithë territorin e vendit kemi një situatë shumë herë më të mirë menaxhuar të këtyre hapësirave, ndryshe nga ç’ishte më parë, kur hapësirat e plazhit ishin të uzurpuara nga subjektet”- tha Klosi.

Ministri informoi se është hapur aplikimi onlinë në këto 5 ditë, pasi ka pasur një numër jo të vogël plazhesh për të cilat nuk është aplikuar ashtu siç duhet. “Asnjë kontratë me bashkitë, nuk është e vlefshme në asnjë rast se nuk aplikohet në e- albania”- u shpreh Klosi.

Ministri tha se angazhimi për menaxhimin e turizmit në kushtet e masave anticovid është një betejë për ekonominë. Në 1 qershor ne hapëm kufijtë me vendet e rajonit e më pas punuam për të pasur çarterat e parë me turistë nga jashtë dhe në qershor hynë 30% e 600 mijë turistëve që erdhën vitin e kaluar, pra kemi një lëvizje të turizmit rajonal dhe nëse do të ketë politika lehtësues nga BE presim një fluks në rritje”- tha Klosi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com