Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u shpreh se, bregdeti, është një pasuri e madhe kombëtare e vendit tonë dhe politikat lehtësuese që ka ndërmarrë qeveria kanë sjellë një zhvillim të qenësishëm.
Gjatë një interviste televizive, ministri Klosi vlerësoi se impakt në zhvillimin e turizmit veçanërisht në qytetin e Vlorës i kanë dhënë edhe investimet në vepra strategjike të rëndësishme të infrastrukturës krahas investimeve të sipërmarrjes private që siç tha ai arrijnë deri në 600 milionë euro investime në turizëm ku dhjetra milionë euro janë investime në restorante.
“Vetëm këtu në Lungomare ka 3-4 struktura të reja hoteliere. Ka disa hotele që po zhvillohen me markat nga më të njohurat në botë. Projektet vijojnë se janë në fazën e investimeve. Ndërsa synojmë zgjerimin e kapaciteteve akomoduese që arrijnë deri në 3100 të tilla”- tha Klosi.
Duke u ndalur në vështirësitë që solli situata e COVID-19 dhe zbatimin rigoroz të protokolleve të sigurisë për mbrojtjen e shëndetit, Klosi tha se kanë nisur çarterat e parë të vijnë në vendin tonë ndërsa në mesin e muajit korrik presim turistët nga Polonia.
“Ndërsa hapja e transportit detar do të shtojë fluksin e turistëve nga Italia. Hapja e kufijve më 1 qershor ka sjellë 185 mijë turistë në vendin tonë, që janë 30% e turistëve që kanë hyrë në qershorin e vitit të kaluar. Ndërsa në javën e parë të korrikut kanë hyrë, pothuajse i njëjti numër turistësh, sa në javën e parë të 2019. Pra ka një lloj lëvizje”- tha Klosi.
“30% të turistëve e përbëjnë turistët e ardhur nga Kosova ndërsa 65% ose 4 milionë pasaporta të tjera nga 65 shtete të botës vizituan vendin tonë vitin që shkoi”- tha Klosi.
Ministri Klosi u shpreh se, “sektori i turizmit është mbështetur nga qeveria përmes dy paketave të mbështetjes dhe sot strukturat akomoduese në turizëm janë të hapura. Çarteri i parë i turistëve nga Bjellorusia ndaloi në Shqipëri, ndërsa regjistrohen 3- 4 çartera në javë. Ka filluar tashmë Ukraina të punojë në mënyrë permanente me Shqipërinë, dhe këto janë tregues pozitivë, megjithëse është e vështirë të bësh përllogaritje në kushtet e COVID-19”./atsh