Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se në përfundim të komunikimeve me aktorët politikë në Kosovë, në orën 14:00 do zhvillojë një konferencë për shtyp në Prishtinë.
“Duke i falenderuar gazetarët e Prishtinës e Tiranës për ndjekjen nga afër të takimeve të mia në kryeqytetin tjetër të shqiptarëve, e në pamundësi t’u përgjigjem pyetjeve të tyre përpara përfundimit të komunikimeve me krejt aktorët politikë, do të flas për shtypin në orën 14.00”, tha ai.
Prej ditës së djeshme, Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, ku ka pasur takime me liderët politikë pas publikimit të aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Në ditën e parë të vizitës në Kosovë, Kryeministri Rama zhvilloi dje takime me Presidentin Hashim Thaçi, Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, Kryeministrin, Avdullah Hoti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, me kryetarin e partisë “Nisma Socialdemokrate”, Fatmir Limaj dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ndërsa sot Kryeministri Rama zhvilloi një takim me kreun e LDK-së, Isa Mustafa./atsh