Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i bëri thirrje sot opozitës të mos bëjë politikë me koronavirusin, por të ndihmojnë duke dhënë pikësëpari shembullin personal për zbatimin e masave kundër COVID, për të kontribuar në luftën me këtë virus.
Në një reagim duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, Manastirliu e drejtoi apelin “për të gjithë “mjekët” e politikës dhe “politikanët” e mjekësisë, që shëndetin e qytetarëve e shohin veç si një armë për ta përdorur në sulmin politik të ditës”.
“Ne vazhdojmë t’u besojmë dhe të ndjekim strategjinë e ekspertëve më të mirë të shëndetit publik në vend dhe punojmë çdo ditë si ditën e parë, për të forcuar kapacitetet e sistemit shëndetësor, në përgjigje të epidemisë Sars-Cov 2”, tha ajo.
“Ne vazhdojmë të besojmë fort në ofrimin me transparencë të të dhënave, në mirëkuptimin si dhe bashkëpunimin me qytetarët, për masat e domosdoshme që nevojiten për mbrojtjen e shëndetit në këtë situatë pandemie. Sot, numri i qytetarëve të shtruar në spital është rreth 20% e kapacitetit të shtretërve të vëna në dispozicion. Po bëhet një punë heroike nga mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë të luftës në spitalin Infektiv në QSUT”, – nënvizoi Manastirliu.
Sipas saj, numri i fataliteteve për një milion banorë, është shumë më i ulët sesa shumica e vendeve të Bashkimit Europian dhe i dyti më i ulët ndër vendet e rajonit.
“Protokollet tona aktuale të survejancës janë të bazuara tërësisht në udhëzimet e OBSH dhe ECDC. 90% e rasteve të dyshuara izolohen dhe konfirmohen brenda 48 orëve. Ekipet e reagimit të shpejtë të shëndetit publik janë pa pushim në terren dhe janë funksionalë në të gjitha nivelet. Strategjia jonë e izolimit, në një kohë kur virusi ishte në kulmin e fuqisë së vet goditëse dhe kur ekipet tona të shëndetit publik kishin shumë pikëpyetje dhe të panjohura mbi të, rezultoi një strategji e suksesshme”, – tha Manastirliu.
Ministrja shtoi më tej se “kur ne vendosëm rihapjen e mirëmenduar dhe graduale, pas një izolimi ndër më të fortët dhe më të shpejtët, padyshim që kishim marrë parasysh se rritja e ndërveprimit dhe kontakteve do të sillte raste të infektimeve të reja. Prandaj nuk e ndalëm asnjëherë komunikimin me qytetarët, duke kërkuar ndërgjegjësim për zbatimin e masave dhe protokolleve për çdo aktivitet”.
Po kështu, vijoi ajo, ne nuk e ndalëm asnjë moment punën për forcimin e kapaciteteve spitalore dhe pajisjen me materiale të mbrojtjes personale për personelin mjekësor.
“Raportimet mbi numrin e të infektuarve, për të cilat qytetarët dhe partnerët informohen çdo ditë, vijojnë të përcillen në mënyrë të saktë dhe mbi të gjitha transparente. Ne i mirëpresim kritikat konstruktive të gjithësekujt, ashtu sikurse hedhim poshtë me neveri akuzat dhe sajesat e atyre, të cilët që nga dita kur virusi u shfaq, nuk kanë lënë ditë pa bërë politikë me të, me akuza shpesh herë kundërthënëse, duke njollosur padrejtësisht punën e mijëra ekspertëve të shëndetit, mjekëve, infermierëve, të cilët nuk e kanë ndalur asnjë çast luftën me COVID-19”,- theksoi Manastirliu.
Ministrja i bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të zbatojnë të vetmet mjete që kemi në dispozicion në luftën me COVID-19, që janë distancimi social, vendosja e maskës kudo ku distancimi social nuk mund të ruhet.
“Ndërsa kujt bën politike me koronavirusin, u bëjmë sërish thirrje të ndihmojnë duke dhënë pikësëpari shembullin personal për zbatimin e masave AntiCOVID, për të kontribuar edhe ata në luftën me këtë virus”, – tha Manastirliu./atsh