Bypass-i i Vlorës, është një ndër veprat më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në jug të vendit, në të cilin ka nisur dhe asfaltimi i tij .
Kryeministri Edi Rama publikoi sot, pamje nga ky aks rrugor, ku po vijon puna me ritme dhe intensitet të shtuar, për të përmbushur përmbylljen e punime brenda afateve të premtuara.
“Janë 29 kilometra të cilat do t’i bashkëngjiten pjesës tjetër që lidhet me bypass-in e Fierit, tashmë i përfunduar, për të vazhduar më pas me segmentin e ri Orikum-Dukat (nga Marina deri tek ura e Shën Elizës) dhe së shpejti edhe me tunelin e Llogorasë, duke bërë të mundur një transformim epokal për krejt zonën, si edhe për Shqipërinë Turistike 2030”, shprehet Rama.
Ndërkohë që përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi rrugor janë ndërtuar 15 kryqëzime dhe 5 ura kryesore.
Bypass-i i Vlorës po ndërtohet me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.
Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar në lehtësimin e fermerëve, për ndaljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.
Vepra është financim i BERZH, BEI dhe BE-së.
Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga Rrethrrotullimi, në fund te autostradës Levan-Vlore.
Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet.
Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit europian./atsh