Në bypass-in e Vlorës janë përshpejtuar ritmet e punës, në mënyrë që kjo vepër të përfundojë sa më shpejt dhe të jetë në dispozicion të përdoruesve të rrugës. Aktualisht në këtë vepër ka nisur puna për hedhjen e shtresave bazike asfaltike dhe deri në fund të muajit korrik parashikohet të ketë përfunduar asfaltimi i afro 11,5 kilometrave.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe kryetarin e bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektuan ecurinë e punimeve në këtë segment.
Kreu i ARRSH e cilësoi një premtim të mbajtur nisjen e punës për asfaltimin e kilometrave të parë të kësaj vepre, teksa bëri të ditur se në fund të muajit korrik do të jetë hapur i gjithë trupi i rrugës në të gjithë gjatësinë e segmentit.
“Është një zotim i mbajtur për fillimin e asfaltit në kilometrin 20 deri në kilometrin 28.5. Punimet ecin me ritme të larta. Kemi zgjidhur problematikën e varrezave me studimin, i cili është miratuar tashmë. Kemi filluar punë në urën numër 1 dhe në urën numër 2. Mbaron ura numër 5 dhe ura numër 4 fillon në korrik. Praktikisht në fund të korrikut kemi të aksesuar të gjithë aksin ku të gjitha mjetet mund të lëvizin përgjatë tij”, u shpreh Verdho.
Ministrja Belinda Balluku theksoi se bypass-i i Vlorës është një vepër shumë e rëndësishme, pasi janë 29 kilometra të vyera, të cilat do t’i bashkëngjiten pjesës tjetër që nis nga bypass-i i Fierit të përfunduar tashmë, rrugës nga Levani deri në hyrje të Vlorës dhe duke vazhduar më pas me pjesën koncesionare nga Porti i Jahteve deri në Urën e Shën Elizës dhe shumë shpejt me tunelin e Llogorasë, për të cilin MIE ka lançuar garën për projektin inxhinierik të detajuar.
“I gjithë ky gjerdan infrastrukturor, i cili vihet në shërbim të jugut, duke filluar nga Vlora dhe duke përfunduar në Sarandë, së bashku me të gjitha punimet e rrugës Kardhiq-Delvinë, do të jenë një zhvillim infrastrukturor i rëndësishëm, por mbi të gjitha një nxitje ekonomike për të gjithë rajonin jugor të Shqipërisë, por sigurisht dhe për të gjithë vendin”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Duke ju referuar ecurisë së punimeve muajt e fundit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh se janë të gjitha mundësitë që kjo vepër të jetë plotësisht e përfunduar dhe e aksesueshme për qytetarët në shkurt të vitit të ardhshëm.
Sa i takon problematikave të evidentuara në këtë projekt, të cilat lidhen kryesisht me zonën e Kaninës, ministrja Balluku nënvizoi se përmes bashkëpunimit mes institucioneve qendrore dhe lokale si dhe dialogut me banorët e zonës, janë të gjitha mundësitë për t’i kaluar këto problematika në mënyrë që puna të vijojë pa asnjë ndërprerje.
“Duhet të përqendrojmë të gjitha forcat tek pjesa e mbetur e zonës së Kaninës. Sigurisht që nuk ka të bëjë shumë me kontraktorin, pasi kontraktori ka përmbushur jo vetëm kushtet, por edhe kërkesat plus, që komuniteti ka pasur aty. Kemi ndërtuar edhe një ujësjellës në shërbim të komunitetit, i cili do jetë gati në ditët në vazhdim, megjithatë duhet gjetur një zgjidhje për kërkesat apo problematikat që kemi hasur shpesh me shpronësimet në zonën e Kaninës dhe sigurisht me mbështetjen e bashkisë dhe të kryetarit Leli do mundohemi që t’ju krijojmë kushtet, për të ecur sa më shpejt në atë pikë atje, e cila krijon edhe problematika dhe vonesa”, deklaroi Balluku.
Nga ana e tij kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, e cilësoi ndërtimin e bypass-it të Vlorës si një ndër veprat më të mëdha infrastrukturore që është ndërtuar në territorin e kësaj Bashkie. “Kjo vepër e madhe publike po shndërrohet dita ditës në një realitet të prekshëm për qytetarët e Vlorës. Është nga veprat më të mëdha të infrastrukturës, që janë realizuar në territorin e bashkisë Vlorë dhe që mendoj se meriton vëmendjen dhe respektin e të gjithëve”, u shpreh kryebashkiaku i Vlorës.
Bypass-i i Vlorës ka një gjatësi prej 29 kilometrash. Krahas shtrimit të shtresave asfaltike po punohet edhe për formimin e trupit të rrugës, ndërtimin e veprave të artit, ndërtimin e mureve mbajtës si dhe për vendosjen e tombinove. //atsh