Bashkimi Europian vazhdon të jetë pranë popullit shqiptar dhe autoriteteve shëndetësore shqiptare në luftën kundër COVID-19
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca shprehet se dhjetëra ventilatorë do të vijnë në Shqipëri në ditët e ardhshme, dhe më vonë këtë vit, 46 milionë euro grante do të ndihmojnë konkretisht familjet dhe bizneset shqiptare.
“Mbështetja konkrete nga Bashkimi Europian për Shqipërinë në luftën kundër COVID-19 vazhdon, me ndihmën e UNOPS. Më shumë mbështetje nga Bashkimi Europian po vjen. Dhjetëra ventilatorë në ditët e ardhshme, dhe, më vonë këtë vit, 46 milionë euro grante do të ndihmojnë konkretisht familjet dhe bizneset shqiptare”, theksoi Soreca.
Javën e kaluar ambasadori i BE-së Luigi Soreca i dorëzoi ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pjesën e tretë të ndihmës së BE-së për trajtimin dhe parandalimin e koronavirusit.
Pajisjet mjekësore të siguruara përmes UNOPS do të ndihmojnë mjekët dhe infermierët shqiptarë të përballojnë më mirë situatën që është bërë më akute kohët e fundit./atsh