Loading...

“Periudhë e pritshme kalimtare pas rihapjes”/ Mjeku Simaku: Parashikohet trend në rënie i rasteve të reja

Mjeku epidemiolog, Artan Simaku duke folur për kurbën e infektimeve me COVID-19, ku javët e fundit është vënë re një trend në rritje i rasteve të reja dhe pacientëve që trajtohen në spital, u shpreh se në ditët në vijim pritet rënie e shifrave.

Në një intervistë televizive, Simaku u shpreh se në ditët në vijim parashikohet që numri i rasteve me COVID-19 do të marrë trajektore rënëse. Sipas tij, rastet e shtuara ishin të parashikuara për shkak të fazës së rihapjes ndërsa shtoi se kjo ka ardhur për shkak të lehtësimit të masave kufizuese dhe mosrespektimit të rregullave nga qytetarët.

“Situata duhet thënë që në fillim se nuk është shqetësuese dhe nuk ka vend për panik. Në ditët në vijim parashikohet një trend në rënie e këtyre rasteve. Kjo ishte një periudhë kalimtare, e cila ishte e pritshme. Kjo ka ndodhur se nuk janë respektuar masat. Ka patur një relaksim të nxituar të popullatës dhe moszbatim të këtyre rregullave, por jo vetëm nga popullata por edhe nga shumë biznese. Apeli për popullatën është zbatimi dhe respektimi këtyre masave, sepse do të bashkëjetojmë me COVID-in”, tha ai.

Specialisti i ISHP-së theksoi se “aktualisht janë katër spitale COVID, që janë në gjendje të presin një fluks më të madh se sa është ky që është tani. Janë edhe tre spitale të tjera që janë në pritje nëse do të këtë raste të shtuara, por nuk parashikojmë raste të tilla. Jo vetëm spitalet, por është edhe infrastruktura. Koronavirusi nuk parashikohet të zhduket shpejt, por do të bashkëjetojmë me të. Kjo është një fazë kalimtare dhe ishte pritshme dhe në ditët në vijim parashikohet një trend rënës i këtyre rasteve”, u shpreh ai.

Mjeku tha se aktualisht në Spitalin Infektiv, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe një tjetër i intubuar. Siç thekson mjeku Simaku, gjendja e pacientëve të shtruar është relativisht e mirë.

“Aktualisht vetëm 10 pacientë janë në terapi intensive, dhe vetëm 1 është i intubuar. Gjendja është relativisht e mirë. Pra, edhe këto personat që janë në terapi intensive nuk janë në gjendje të rëndë, dhe shpresojmë në ditët në vijim që të bjerë ky numër”, shtoi ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com