Loading...

“Koronavirusi ‘gjallon’ ende mes nesh”/ Kalo mesazh qytetarëve: Tregoni kujdes, është sfidë jo e lehtë për t’u fituar

Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo, iu drejtua sot qytetarëve me një mesazh të rëndësishëm duke theksuar se “kujdesi i vazhdueshëm ndaj vetes dhe të tjerëve kurrë nuk duhet nënvlerësuar. Mos harroni se Sars-Cov2/Covid-19 “gjallon” ende mes nesh”.

Përmes një mesazhi mjeku i njohur tregon ditën e tij të ngjeshur, që nis herët në mëngjes me hyrjen në oborrin e QSUT, e deri tek largimi nga spitali.

Ai shprehet se së bashku do ja dalim mbanë përballjes me këtë sfidë jo lehtë për t’u fituar.

“Kohë kovidiane… sensibilizimi ynë, vetëndërgjegjësimi, kujdesi për veten dhe të tjerët rreth nesh këto ditë e fundit kanë filluar të harrohen e nënvlerësohen për shumë e shumë prej jush. Mos harroni se Sars-Cov2/Covid-19 “gjallon” ende mes nesh… 22.06.2020… Dita e Ekuinoksit Pranveror… Dita dhe nata ndajnë 24 orët në mënyrë të barabartë mes tyre… Duke filluar nga nesër DITA, shpresa, optimizmi i NATYRËS por edhe i yni si SHOQËRI fillon drojtazi por e sigurt, të përftojë në kohë përkundrejt NATËS, ndrydhëses emocionale e kohëbjerrës”, – shprehet Kalo.

Ai thotë se “dita e sotme për mua rrodhi në të njëjtën rutinë sikundër kanë rrjedhur ditët prej shumë e shumë muajsh… Hyj herët në mëngjes në oborrin e QSUT-së dhe kaloj para kësaj pankarte inkurajuese dhe mirënjohëse për një EKIP të tërë mantelbardhësh, infermierësh, imazheristësh, farmacistësh, administratorësh dhe koordinatorësh, sanitarësh, barrelistësh, shoferësh, punonjës rendi në Covid-1, Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUT “Nënë Tereza”, ndërkohë që mbërrij në zyrën time të ndodhur në mes të pavijonit të parë. Infermieret tona janë aty të papërtuara për të ndihmuar të sëmurët në çdo sekondë”.

“Vijon më pas vizita e të sëmurëve i mbrojtur me pajisjet personale. Në fund të kësaj ditë-pune vjen largimi për në shtëpi dhe unë lë pas vetes degëzat e ullinjve në oborrin e spitalit, të mbushura këtë vit me frutet e shpresës, për mbarimin në një ditë jo shumë të largët të kësaj sfide jo të lehtë për të gjithë, sfidës me sëmundjeshkaktuesin e jetëmarrësin Sars-Cov2/Covid-19”,- shprehet Kalo.

Mjeku Kalo thekson se “ju rikujtoj se kujdesi i vazhdueshëm ndaj vetes dhe të tjerëve kurrë nuk duhet nënvlerësuar. Së bashku do ja dalim mbanë përballjes me këtë sfidë jo lehtë për t’u fituar”, – tha Kalo./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com