Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj vizitoi sot Finiqin, ku gjatë një bashkëbisedimi me banorët e kësaj bashkie theksoi se “minoritetet janë ai element, ajo urë e cila vendos, në rastin tonë midis popullit shqiptar dhe popullit grek. Ata popullojnë këtë gadishull që kur ka lindur koha”.
Në fjalën e tij, Lleshaj u shpreh se “përgjatë kësaj historie regjistrojnë në marrëdhënien e tyre gjëra pozitive, marrëdhënie miqësore, bashkëjetesë shembullore edhe për shumë kombe dhe marrëdhënie të tjera fqinjësore”.
“Për herë kam qenë dhe jam optimist që kjo marrëdhënie nuk mund të cenohet edhe sikur ne të punojmë kundër saj, janë vetë popujt tanë, të cilët e kanë ndërtuar marrëdhënien. Marrëdhënien e ndërtojnë popujt dhe jo qeveria”, – tha Lleshaj.
Ministri Lleshaj u shpreh se “i kam ndjekur edhe rastet e shkëputura, për fat të keq të tendencave për të fryrë gjëra që realisht janë të vogla. Por besoj që pjekuria jonë si qytetarë europianë është e tillë saqë ne do të jemi në gjendje për t’i margjinalizuar dhe për t’u treguar vendin të gjithë atyre që tentojnë të helmatisin këtë marrëdhënie”.
“Është fat që tashmë ka një bashki edhe këtu në Finiq, që këto minoritete të kenë institucione, të kenë një zë në jetën politike e shoqërore të vendit. Ne duhet të bëjmë përpjekje që kësaj Bashkie t’i japim jetë, t’i japim energji, t’i japim mbështetje në mënyrë që të konsolidohet, sepse është bashki e re, të cilës i mungojnë shumë gjëra dhe duhet së bashku t’i japim mundësi”, – nënvizoi Lleshaj.
Ministri Lleshaj tha se “i kam ndjekur me shumë shqetësim, rastet dhe raportimet për akte kriminale, të cilat fokusohen kryesisht tek vjedhjet, tek dhunimi i banesave, etj., të cilat në gjuhën e Policisë konsiderohen si krime të vogla. Por në thelb për mua janë krime të mëdha, për arsye se prodhojnë pasoja shumë të mëdha. Jo vetëm të karakterit ekonomik, por pasoja të mëdha shkaktojnë në nivelin psikologjik, trauma, njerëzit ndihen të dhunuar”.
“Ngelet sfida jonë e përbashkët, e komunitetit, e Policisë, e organeve vendore, edhe e Ministrisë, edhe të gjithë strukturave të tjera për ta adresuar këtë fenomen me seriozitet të madh me vendosmëri të lartë në mënyrë që të bëjmë të mundur që të goditet dhe të harrohet si fenomen. Ne duhet të ndryshojmë qasjen në shumë aspekte. Së pari, do të forcojmë kapacitetet e strukturave lokale të Policisë, qoftë në pikëpamje njerëzore, qoftë në mënyrën e organizimit, qoftë në mënyrën e trajnimit në nivelin e pajisjes dhe në nivelin e mbështetjes nga lart. Kjo me qëllim që strukturat këtu të Policisë të jenë eficente”, – shtoi Lleshaj.
Sipas tij, kemi një problem që në strukturat e Policisë nuk kemi minoritar mjaftueshëm.
Ministri i kërkoi banorëve që të nxisin djemtë dhe vajzat, për aq sa është e mundur, që të jenë pjesë edhe e Policisë së Shtetit, dhe e Policisë këtu. Kjo do ta thjeshtojë së tepërmi mënyrën se si Policia do ta kryejë detyrën e saj.
“Për këtë ne kemi edhe gatishmërinë për të lëshuar pak, por pak në standarde, jo shumë, duke mos anashkaluar ato të domosdoshmet. Kemi një kuotë të dedikuar të djemve dhe vajzave të minoritetit dhe ne na duhet që ta bëjmë këtë punë. Ne jemi në një proces të rishikimit të të gjithë qasjes së Policisë, me idenë që ta zbresim Policinë sa më poshtë dhe jo ta ngjisim lart nëpër struktura vendore apo qendrore”, – tha Lleshaj duke shtuar se kemi ende një Polici, e cila është e centralizuar dhe ka shumë struktura lart, dhe kemi një Polici që është shumë e vogël.
Çështje tjetër, vijoi ai, që mbetet me rëndësi është të përforcojmë kapacitetet teknike në shërbim të rendit dhe të sigurisë këtu.
“Të vendosim më shumë sisteme dhe sensore, kamera, teknologji tjetër në funksion të njoftimit të hershëm dhe të marrim masa me banorët që edhe ata të bëjnë ndonjë hap këtë punë. E rëndësishme të punojmë së bashku edhe për t’i sensibilizuar banorët, që edhe me investime shumë të vogla që ata mund të bëjnë në shtëpitë e tyre, me sensore elektronikë, me sisteme të vogla alarmi, ose thjesht sinjalizimi që Policia të sinjalizohet në kohë, vlejnë për të luftuar këtë fenomen negative”, – theksoi Lleshaj.
Ministri tha se “ne do të zhvillojmë një program, nga Drejtoria e Policisë në qendër bashkë me Drejtoritë Vendore. Do t’jua paraqesim edhe juve përmes bashkisë, me idenë që të kombinojmë përpjekjen tonë edhe me kontributet që mund të kemi nga ana juaj për bashkëpunim. Kjo për të dhënë një mesazh të fortë ndaj këtyre të paudhëve që bëjnë këto krime. Për t’ju dhënë edhe një qetësi banorëve që ndoshta nuk janë këtu, ose kudo qofshin, një ndjenjë sigurie”.
Lleshaj shprehu bindjen se do ta ndryshojmë jo vetëm gjendjen, por edhe perceptimin.
“Nuk do të kursejmë asnjë kapacitet derisa të arrijmë që banorëve t’u ofrojmë siguri të plotë, që ata të gëzojnë jetën e tyre, dhe pronat e tyre. Të jenë të qetë në vendin e tyre”, – tha Lleshaj./atsh