Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi deklaroi sot se numri i krimeve ka rënë ndjeshëm në Shqipëri dhe se ky tregues është poshtë mesatares së vendeve të Bashkimit Europian.
Gjatë një interpelance në Kuvend të kërkuar nga deputetë të opozitës, ministri bëri të ditur se ndryshe nga sa deklarohet nga opozita, në Shqipëri ka rënie galopante të krimit.
“Keni bërë supozime e hamendësime galopante në drejtim të së pavërtetës. Refuzoj të pranoj teprimet ekstreme të situatës që bëhen përmes vizatimeve tuaja shumë të errëta. Në këtë kuptim teprimet janë të dëmshme se paraqisni një situatë, e cila nuk ekziston dhe shtrembërimi i situatës është i dëmshëm për këdo që e do këtë vend dhe nëse e do këtë vend duhet t’i bëjmë një shërbim minimal, ta vizatojmë ashtu si është“, u shpreh ministri Lleshaj.
Sipas ministrit Lleshaj, në Shqipëri ka ulje galopante të krimit.
“Shifrat zyrtare thonë që ka rënie të numrit të vrasjeve në Shqipëri. Nga 126 vrasje që ishin në 2012-n në vitin 2019 janë 57 vrasje. Rezulton më pak se gjysma dhe këtë vit që flasim ka deri tani 21 vrasje që tregon një tendencë në dukje më e ulët. Konkluzioni juaj për rritje galopante të krimit në mënyrë galopante nuk qëndron”, u shpreh ministri.
Sipas ministrit Lleshaj, numri vrasjeve ka mbërritur poshtë mesatares europine për 110 mijë banorë.
“Mesatarja e BE-së është 1.3-1.4 vrasje për 100 mijë banorë dhe ne jemi afër mesatares së vendeve të BE. Ka shumë vende europiane që regjistrojnë një numër krimesh më të madh”, deklaroi Lleshaj.
Ministri më tej vuri në dukje se për të luftuar krimin duhet shterruar burimi që e mban gjallë atë.
“Operacioni Forca e Ligjit e garanton këtë. Instrumentet ligjore të instaluar në Shqipëri e pamundësojnë gëzimin e përfitimeve që mund të vijnë nga përfshirja në krim. Shifrat janë inkurajuese”, deklaroi ministri.
Sipas tij, kemi 43 vendime të gjykatës për konfiskime apo sekuestrime. “Janë qindra raste të tjera të cilat provojnë drejtësinë dhe seriozitetin e angazhimit të madh të qeverisë shqiptare”, u shpreh ai
Më tej, ministri bëri të ditur se edhe sa i takon kultivimit të kanabisit ka përmirësim të treguesve.
“Policia ka garantuar sukses të matshëm, shifra që janë tashmë edhe të çertifikuara nga partnerët tanë europiane, rezultate që kanë kontribuar dukshëm që Shqipëria ka hyrë në procesin e negociatave të anëtarësimit”, deklaroi Lleshaj.
Sipas ministrit, kemi shtuar dukshëm kapacitetet në dispozicion të Shqipërisë për monitorimin ajror.
“Ka patur propagandë nga qarqe, individë e grupe kriminale që kanë tentuar të krijojnë mjegull dhe unë gjej rastin të ftoj çdo qytetar të rrijë sa më larg çdo forme pëefshirjeje në këtë veprimtari kriminale”, tha Lleashj.
Sipas tij, zyrtarët me përgjegjësi për administrimin e territorit në Shqipëri kanë detyrim kontrollin e territorit.
Lleshaj bëri të ditur se ka një rënie të ndjeshme edhe të lëndës narkotike me origjinë shqiptare të kapura në shtetet fqinje.
“Ka patur kohë që keni çuar tonelata, keni krijuar Republikë kanabisi, jeni bërë markë me Lazaratin. Kemi mbërritur në minimum historic. Të gjithë treguesit e kriminalitetit kanë rënie me 50%’, u shpreh ministri.
Deputeti i opozitës, Halit Valteri në interpelancën e thirrur për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh se krimi në vend është rritur në mënyrë galopante.
“Sot dalim dhe themi, krimi nuk ka ekzistuar në këtë vend. Çdo ditë ka një vrasje, një rrëmbim, çdo ditë kanoset dikush”, tha Valteri./atsh