Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi, deklaroi sot se pas takimit me mësues të gjimnazeve rezultoi se “asnjë pyetje nuk është jashtë programit të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe asnjë pyetje nuk ka gabime shkencore”.
Në një intervistë televizive, Vrapi theksoi se “përpara një ore kemi pasur një takim me një grup të konsideruar mësuesish, të cilët ishin nga gjimnazet kryesore të Tiranës, por edhe të rretheve dhe kemi diskutuar mbi pretendimet e maturantëve. Çuditërisht nga askush nuk kishte pretendime”.
“Pati diskutime në lidhje me pyetjet, por dy gjëra dolën në përfundim të këtij takimi: E para, asnjë pyetje nuk është jashtë programit të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e dyta, asnjë pyetje nuk ka gabime shkencore”, – tha Vrapi.
Sipas saj, ka pyetje që nxënësit kanë hasur vështirësi për shkak të natyrës së testit që kërkon njohuri me kompetenca.
“Kanë pasur tre vjet për mësimin me kompetenca, është brezi i parë që finalizohet nga të mësuarit me kompetenca. Në fillim u tha se është kopjuar, kjo është fyese. Nuk është kopjuar asnjë pyetje, këtë e them me garanci të plotë”, – tha Vrapi.
Ajo u shpreh se “programi ku specifikohen kompetencat janë dhe çfarë nxënësi duhet të zotërojë. Ne nuk testojmë më informacion dhe riprodhim, por çfarë je në gjendje të bësh me aftësitë që ke”.
“Këto nxënësi duhet t’i këtë mësuar gjatë 3 viteve. Nuk ka më riprodhim, duhet të fillojnë të mendojnë dhe gjykojnë”, – shtoi ajo.
Vrapi tha se “nga disa rezultate paraprake, nuk shoh asnjë lloj problematike. Nëse një pyetje nuk zgjidhet nga asnjë, patjetër që ka probleme, nëse është zgjidhur nga një përqindje e caktuar, do të thotë se nuk ka pasur asnjë problem”./atsh