Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha se, Programi i Rindërtimit parashikon ndërtimin dhe rehabilitimin e rreth 10 mijë banesave në zonat, ku tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi më së shumti.
Gjatë një interviste televizive ai tha se, do të ndërtohen 3400 banesa individuale të modelit, 1+1, 2+1 dhe 3+1, të cilat kushtojnë nga 17 në 25 mijë euro.
Ahmetaj tha se, qeveria po mbështet qytetarët e mbetur pa strehë nga tërmeti duke iu paguar bonus qiraje, ndërsa theksoi se, paketa e mbështetjes ndaj biznesit dhe qytetarëve, në kushtet e situatës së krijuar nga Covid-19, adresoi faljen e kamatëvonesave dhe gjobave që llogaritet në një shumë deri në 15 miliardë lekë.
Gjithashtu nënvizoi ai, qeveria vuri në mbështetje të biznesit dhe qytetarëve Paketën e parë dhe të dytë të mbështetjes si dhe instrtumentin e Garancisë Sovrane në vlerën totale të gjitha 250 milionë USD.
Nga garancia e parë janë disbursuar 50 milionë euro për 629 aplikime dhe procesi vazhdon, vijoi Ahmetaj, ndërsa informoi se nga garancia e dytë janë mbi 20 aplikime të aprovuara sepse sapo ka nisur procesi.
5.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto është adresuar në mbështetje të biznesit dhe qytetarëve, në kushtet e situtës së vështirë të krjuar nga Covid-9, deklaroi Ahmetaj./atsh