Loading...

“Erudit i rrallë, enciklopedi e gjallë”/Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të akademikut Moikom Zeqo

Presidenti Ilir Meta është shprehur sot thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos, “mendimtarit të vyer, eruditit, zërit të fuqishëm, penës së fortë dhe poliedrike, intelektualit të angazhuar e të përkushtuar ndaj së mirës publike e interesit kombëtar, dhe njërit ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë”.

“Me një personalitet njerëzor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, trashëgimia tepër e vyer akademike dhe kulturore që la pas Moikomi do shërbejnë përherë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes të kombit tonë”, thekson Meta.

“Ngushëllimet më të sinqerta Lidës së dashur, fëmijëve, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve të panumërt, për këtë humbje të madhe që le pas shumë dhimbje. Kujtimi dhe veprat e Tij do të mbeten të paharruara!”, ka përfunduar Meta.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe historianit Moikom Zeqo.

“LAMTUMIRË MOIKOM”, shprehet Rama.

Edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-deputetit, shkrimtarit, shkencëtarit dhe publicistit të shquar Moikom Zeqo.

“Moikom Zeqo ishte një personalitet erudit i rrallë, një enciklopedi e gjallë. Shkrimtar, historian, arkeolog, studiues e kritik letrar, përkthyes dhe publicist, mbi të gjitha një intelektual i shquar dhe patriot i madh. Ai i shërbeu Shqipërisë dhe kulturës shqiptare deri në ditët e fundit të jetës, me një dashuri e përkushtim të pashoq. Moikom Zeqo luftoi me stoicizëm ndaj sëmundjes për një kohë të gjatë, duke mos e ndërprerë për asnjë çast kontributin e tij intelektual për Shqipërinë”, thekson Ruçi.

“Moikom Zeqo u zgjodh dhe shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën 1992-1996 dhe u shqua për thellësinë e mendimit, largpamësinë e vizionit, urtësinë për dialog, përkushtimin për qytetarët dhe angazhimin sipëror për kulturën dhe çështjet e mëdha të shoqërisë dhe të kombit shqiptar. Gjithë erudicionin e tij Moikomi ua kushtoi dhe ua shpërndau Shqipërisë dhe shqiptarëve. Lamtumirë Moikomi ynë i dashur!”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në mesazhin e ngushëllimit.

Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti e ka cilësuar një ditë të trishtë sot për kulturën shqiptare.

“U nda nga ne eruditi Moikom Zeqo, ky shpirt i lirë, që luftoi deri në momentin e fundit për jetën, që nuk reshti së përpjekuri për kulturën; një zë opozitar, këmbëngulës, nxitës për të bërë më të mirën, që do të na mungojë të gjithëve! U prehsh në paqe!”, u shpreh Margariti./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com