Loading...

Komiteti i Ekspertëve: Shtyhet edhe 1 javë hapja e transportit publik

Pas vlerësimit të situatës aktuale, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ketë kthim mbrapa, duke e vlerësuar situatën si të qëndrueshme, por për më shumë siguri, u vendos shtyrja e hapjes së transportit publik, si aktivitet me rrezikshmëri të lartë.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli deklaroi pasditen e së premtes se “siç jeni në dijeni, javën e fundit ka patur rritje të numrit të të infektuarve në vend dhe për të analizuar situatën epidemiologjike është mbledhur sot Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Ne vlerësojmë se kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilencës, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme.
Gjithësesi, pas shqyrtimit të të gjithë treguesve në rastet e reja ditore, situatën në spitale dhe pacientët në terapi intensive, Komiteti Teknik vlerëson se situata mbetet e kontrolluar”.

Më tej, ajo informoi se “kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes, por për më shumë siguri, në kushtet aktuale, kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike. Ecja përpara është në dorën tonë, ndaj nuk mundet të sfidojmë rregullat, duhet vetëm ti zbatojmë ato, të ruajmë njëri-tjetrin, të moshuarit, të ruajmë distancimin fizik, higjienën personale, të përdorim maskat apo barrierat mbrojtëse në vendet e mbyllura, aty ku nuk mund të sigurohet distancimi fizik, si dhe një apel për të gjithë aktivitetet e biznesit, të zbatojnë protokollet sipas nivelit të riskut”.

Sipas saj, do të vijohet me monitorimin e situatës ndërsa kërkoi zbatimin e protokollit të sigurisë nga qytetarët dhe bizneset.

“Ne do të vijojmë monitorimin e situatës, dhe gjithashtu do vijojmë punën intensivisht nëpërmjet inspektorëve të Taskforcës kundër COVID-19, për të siguruar zbatimin e plotë të rregullave dhe protokolleve të sigurisë, por nevojitet akoma më shumë përgjegjësi për të mirën e përbashkët. Të vijojmë të kemi të njëjtën përgjegjësi si në fazën e parë, në mënyrë që edhe këtë fazë, ta kalojmë po me aq sukses”, përfundoi Rakacolli. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com