Me rastin e 21–vjetorit të çlirimit të Prishtinës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri homazhe tek shtatorja e heroit, Zahir Pajaziti, prej ku tha se e ardhmja e Kosovës është e sigurt dhe askush nuk mund ta pengojë atë.
Ai ndërsa bëri homazhe tha se sot nderojnë sakrificën e heronjve që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Bëjmë nderime tek heroi i popullit heroi i kombit, Zahir Pajaziti, prej komandantëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e përmes këtij nderimi shtetëror dërgojmë mesazhin e respektit shtetëror për të gjithë heronjtë e kombit luftëtarët e UÇK-së, invalidët e luftës , dhe familjet e dëshmorëve. Nderojmë sakrificën e gjithë qytetarëve të vendit që në një formë apo tjetër, me pushkë në dorë apo me rezistencë civile kontribuan në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Janë këto ditë heroike, janë këto ditë historike të rëndësishme, pa luftën e UÇK-së, pa sakrificën e qytetarëve nuk do lëvizte as bota. Rezistenca jonë e drejtë sakrifica e madhe që u tregua në fushë beteja dhe kauza bëri që të kemi krahë nesh edhe aleatët tanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO”, tha Thaçi.
Sipas të parit të vendit tani mbetet të punohet në integrimin e Kosovës drejt NATO-së dhe Bashkimit Europian, pasi që vendi ka një të ardhme të sigurt dhe askush nuk mund ta pengojë atë.
Presidenti i vendit adresoi kritika edhe për mirëmbajtjen e shtatores së Zahir Pajazitit.
“I bëj ftesë institucioneve përkatëse edhe të ministrisë së Kulturës dhe autoriteteve lokale që të përkujdesen më tepër për monumentet dhe lapidarët që i kemi që janë krenaria e Prishtinës dhe Kosovës, në kuadër të kësaj edhe të heroit të popullit, Zahir Pajaziti”, deklaroi presidenti Thaçi.
Në 21 vjetorin e çlirimit të Prishtinës janë organizuar një sërë aktivitetesh ndër to janë edhe homazhet tek varrezat e dëshmorëve.
Po ashtu, me rastin e 11 Qershorit – Ditës së Çlirimit te Prishtinës, komuna e Prishtinës ndan “Çelësin e Qytetit” për Sabri Fejzullahun, ndërsa në orën 12:00 pritet të parakaloj dhe performoi Orkestra Frymore e FSK-së./KosovaPress/