Edhe pse në kushtet e hapjes totale, lufta ndaj virusit COVID-19 nuk ka përfunduar dhe për rrjedhojë as operacioni humanitar në ndihmë të familjeve në nevojë në të gjithë vendin”.
Kështu deklaroi kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ndërsa theksoi se procesi i ndihmës për familjet në nevojë do të vijojë.
“Edhe pse në kushtet e hapjes totale, duhet të kuptojmë që kujdesi për familjet në nevojë duhet të vazhdojë. Jemi sot në Gramsh për të filluar, unë shpresoj të jetë faza e fundit, etapa e fundit e një procesi që ka shkuar dyer më dyer ku nevoja është shumë e madhe. Dua të falenderoj të gjithë, stafin e bashkisë, kryetarin, deputetin, të gjithë ata që kanë ndjekur nga afër këtë proces. Ka qenë një operacion humanitar që në kushtet e vështira të pandemisë ishte i domosdoshëm sepse familjet në nevojë e kanë pasur të domosdoshëm furnizimin e përditshëm me këto ushqime bazë, për t’iu dhënë ndihmën që të mos zbrisnin në qytet, në kushtet që edhe transporti ka qenë i pezulluar”, tha Balla.
Më tej, Balla theksoi se “edhe pse jemi në kushtet e hapjes, e kemi thënë që prej ditës së parë të kësaj lufte që ne do t’i gjendemi pranë çdo familje në nevojë, në çdo cep të Shqipërisë, padyshim edhe këtu në Gramsh ku me këto 1500 të fundit, unë mendoj që ne kemi arritur qëllimin bazë. Prandaj edhe mesazhi im sot nga Gramshi është që Shqipëria reale është kjo e njerëzve të thjeshtë dhe të zakonshëm që kanë nevojë për përkujdesjen e përditshme dhe kanë më pak nevojë për debatet e kota politike, që nuk duhet t’ia zënë vendin debatit mbi sfidat kryesore të përballjes me ketë pandemic dhe efektet negative që ajo krijoi”.
Sipas tij, “procesi i rimëkëmbjes ekonomike duhet të jetë baza e çdo diskutimi dhe debate lidhur me tejkalimin e situatës së vështirë, që ndoshta është një nga situatat më të vështira të disa dekadave jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë europën dhe mbarë globin.
Deputeti i PS-së, Anastas Angjeli u shpreh se “kujdesi për familjet në nevojë ka qenë dhe mbetet një synim themelor i qeverisë Rama dhe këtë e dëshmoi edhe një herë tjetër, gjatë kësaj periudhe të vështirë që vendi, qytetarët kaluan dhe po kalojnë në kushtet e pandemisë. Të gjithë këto familje kanë nevojë për dorën e ngrohtë të shtetit që nuk ju ka munguar”.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Gramshit, Klodian Tace u shpreh se “nga këto pako ushqimore do të përfitojnë 1073 familje të cilët janë zgjedhur nga Shërbimi Social Kombëtar ndërsa familjet me shumë anëtarë do të kenë mundësinë e pakos së dytë, prandaj është edhe diferenca tjetër. Përveç këtyre pakove dhe familjeve, ne po mundohemi qoftë me organizatat e tjera humanitare, emergjencat civile, ministrinë e Mbrojtjes e cila sot na asistoi me disa pako të tjera, kështu që ne u jemi pranë të gjithë familjeve në nevojë./atsh