Loading...

Mbyllet sot afati për pagën e luftës/ Ibrahimaj: Nga të dyja paketat numri i përfituesve do të jetë mbi 250 mijë

Bizneset kanë afat të aplikojnë deri sot më datë 5 qershor në orën 12 të natës, për përfitim të ndihmës financiare për punonjësit e tyre.

Në rast se bizneset nuk aplikojnë brenda kësaj date, është e parashikuar një masë administrative, sipas të cilës “Moskryerja e aplikimit nga ana e subjektit të të punësuarit apo ish-të punësuarit që plotëson kushtet për të përfituar ndihmën financiare, gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në një intervistë për median tha se, gjoba parashikohet të vihet për çdo punonjës për të cilin nuk është aplikuar.

Lidhur ecurinë e deri tanishme të procesit të ndihmës financiare, Ibrahimaj tha se, “kemi ecur me ritme të shpejta, duke qenë se numri i aplikimeve ka qenë i lartë. Me përfundimin e afatit të aplikimit, gjithsesi administrata tatimore do të vazhdojë të trajtojë të gjitha ankesat që vijnë nga tatimpaguesit dhe përfundimi i procesit do të jetë atëherë kur nuk do të ketë më asnjë ankesë apo ata që e meritojnë do të marrin pagën e luftës”.

Për sa i përket penaliteteve, tha ajo “ne pas përfundimit të afatit do të marrim në shqyrtim të gjithë listën e bizneseve dhe do të vendosim penalitetet aty ku gjykojmë që nuk ka pasur aplikime pa një arsye të fortë. Megjithatë dhe këto gjoba pas të gjithë procedurave të legjislacionit në fuqi tatimpaguesit do të kenë të drejtë të ankohen për një afat 30 ditor”.

Numri i individëve që kanë aplikuar deri tani është 183 mijë për kërkesa, numri i punonjësve të refuzuar është 26 mijë e 951. Ndërkohë që numri i punonjësve të miratuar për pagesë është 144, 238.

“Ne kemi gjykuar që nga të dyja paketat numri i përfituesve do të jetë mbi 250 mijë punonjës”- tha Ibrahimaj.

Lidhur me bizneset që ankohen se nuk arrijnë të aplikojnë se nuk hapin dot sistemin, drejtoresha e Tatimeve, tha se, “problematika që bizneset nuk mund të aplikojnë lidhet me problematikën e kodit ekonomik në të cilin operojnë”.

“Për këtë arsye ne e kemi hapur mundësinë për aplikim për një numër të madh biznesesh nga të cilat kanë aplikuar 5735 biznese deri më tani dhe janë duke u shqyrtuar. Pra është një potencial me rreth 30 mijë individë të cilët po shqyrtohen nga të cilët, në bazë të ankesave ne do të shohim rast pas rasti se sa do të jetë numri total i përfituesve i këtyre 30 mijë individëve të cilët kanë aplikuar nëpërmjet ankesës”- tha Ibrahimaj.

Ajo theksoj se, “bizneset që kanë aplikuar nëpërmjet ankesës nuk do të ngarkohen me gjoba. Do të ngarkohen me gjoba ato biznese të cilët janë të pastër, që punonjësit e tyre përfitojnë 100% nga kushtet e vendosura nga paketat dhe nuk po aplikojnë. Këto janë ato biznese që do të penalizohen”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com