“Nga momenti i firmosjes së kontratës, deri në momentin e realizimit të sistemit elektronik duhen minimumi 6 muaj”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Rama foli për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje.
“Ne duke pasur parasysh edhe një nga konkluzionet e atij studimi që bëmë dhe të eksperimenteve që bëmë dhe nga kompanitë, se nuk janë 100 kompani në botë që e bëjnë këtë punë, janë shumë pak kompani në botë që e bëjnë këtë punë, sepse nuk ka shumë kërkesë në botë për të futur teknologjinë në zgjedhje, na thanë të gjitha nga momenti i firmosjes së kontratës, deri në momentin e realizimit të sistemit elektronik duhen minimumi 6 muaj”, tha Rama.
“Sot jemi shumë vonë, jemi në qershor. Procesi këtu në parlament kërkon javët e veta. Po le ta zëmë se do të miratohet në fund të qershorit. Do të duhet të votohet nga parlamenti e gjithë struktura, emër për emër e KQZ-së së re që është komplet model tjetër. Do të marrë gjithë korrikun në rastin më të mirë. Ja do t’u duhet atyre po them 40 ditë që është shumë pak për të përgatitur gjithë studimin dhe termat e referencës. Ja edhe 2 javë deri në fund të shtatorit për ta hedhur në garë ndërkombëtare. Kush do vijë ta bëjë?. Në tetor-nëntor 60 ditë tenderi ndërkombëtar. Po ja dhe 30 ditë të tjera ankimet, jo ma mori jo s’ma mori. Pastaj në janar kontratat. Në shkurt fillon puna për ta bërë sistemin. Në 15 prill, 15 maj është vendosur midis një date aty do bëhen zgjedhjet. Si do bëhen?”, u shpreh Rama.
“Atëherë ne thamë nuk ka problem. Ne pranojmë që të bëhen 100% nëse arrihet dhe të hyjë identifikimi elektronik për aq sa arrihet 5%, 10, 20, 30, 70, pjesa tjetër të vazhdojë me tradicionalen dhe PD ta gjejë një njeri vetë. Ta zgjedhi brenda në një nga dhomat SHQUPI-it, nuk na intereson fare se sa i depolitizuar apo i politizuar është. Ta vendosi atje me votën tonë, tuajën e dini vetë, po tonën ta vendos atje zëvendës/kryetar të KQZ-së me mandatin ekskluziv që të merret me teknologjinë. Vetë. Që mos thonë pastaj jo tenderi kështu, jo Edi Rama ashtu, jo Ogerta andej, jo Lindita Nikolla këtej, jo qafiri këtu e jo ndrikulla atje. Ta bëjnë vetë. Nëse arrijnë ta bëjnë, e njohim. Me një ekspert ndërkombëtar për këtë fushë që të jetë bashkë me ata aty dhe ne nuk kemi punë. Nuk duam ne fare, fare të hyjmë në asnjë lloj mënyre në këtë proces. Ta bëjnë dhe ta marrin elektronikën ta bëjnë vetë. E bënë, ka certifikimin ndërkombëtar. Vjen kompania, i bën elektronike të gjitha qendrat. Ne jemi dakord s’ka problem. Ta bëjnë vetë ata”, u shpreh kreu i qeverisë. /atsh