Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria po diversifikon burimin e energjisë së rinovueshme brenda kornizës së plotësimit 100% të nevojave tona dhe kjo e bën vendin një fuqi dinjitoze energjetike”.
“Me Skavicën ne rrisim kapacitetin e prodhimit të energjisë së pastër dhe me Parkun Fotovoltaik që do të fillojë të ndërtohet, me zgjerimin e mëtejshëm të kapaciteteve të energjisë diellore dhe futjen e komponentit të energjisë së erës ne diversifikojmë burimin e energjisë së rinovueshme brenda kornizës së plotësimit 100% të nevojave tona. Kjo e bën Shqipërinë një fuqi dinjitoze energjetike”.
Rama tha se “Skavica nuk do ta bëjë Shqipërinë minisuperfuqi energjetike, siç ka qenë një ambicie e shpallur nga qeveria e mëparshme. Një togfjalësh në vetvete problematik, se janë dy komponentë që nuk qëndrojnë bashkë. As nuk do të ndërtojë central bërthamor në Shkodër tek ura e Bunës. Këto janë gjëra që ne nuk i arrijmë dot realisht, pasi ne nuk jemi të 2-t pas Gjermanisë siç ishim në kohën kur synonim të ktheheshim në prodhues atomik të energjisë”, tha Rama.
Por, ai theksoi se “është e sigurt se Skavica është një gur themelor në plotësimin e një mozaiku të projektuar bukur në të shkuarën e largët, por të parealizuar ende”./atsh