Nën drejtimin e kryetares Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare në mbledhjen e sotme online zhvilloi një seancë dëgjimore lidhur me situatën e dhunës në familje përgjatë periudhës së pandemisë dhe situatën e emigrantëve në pikat e kalimit kufitar gjatë kësaj periudhe, masat e marra dhe zbatimi i tyre.
Lidhur me situatën e dhunës në familje përgjatë periudhës së pandemisë, para Komisionit raportoi Romina Kuko, zëvendësministre në Ministrinë e Brendshme.
Kuko, në prezantimin përmbledhës që lidhej me çështjet e dhunës përgjatë kësaj periudhe, bëri gjithashtu një analizë krahasimore me dy vitet e fundit dhe foli për masat e shtuara për mbrojtjen e viktimave gjatë periudhës së pandemisë.
“Me shpalljen e pandemisë përpiluam një plan të posaçëm duke pasur parasysh dhe analizat e riskut të zhvilluara së bashku me partnerët ndërkombëtarë, për kujdesin kundër dhunës në këtë situatë”, u shpreh Kuko.
Gjatë kësaj periudhe, vijoi Kuko “Policia e Shtetit ka marrë dhe ka trajtuar gjithsej 441 telefonata për dhunë në familje në numrat 129 dhe 112; në mars, 131 telefonata, prill 151 dhe në maj 159 telefonata.”
Po ashtu, Kuko iu përgjigj interesimit të anëtarëve të komisionit, lidhur me rehabilitimin e viktimave të dhunës, fushatat ndërgjegjësuese, punën në shkolla, punën me shoqërinë civile dhe organizatat joftimprurëse, bashkëpunimin me qeveritë vendore etj.
Më tej komisioni vijoi me dëgjesën e raportimit të zëvendësministres tjetër në Ministrinë e Brendshme, Rovena Voda lidhur me situatën e emigrantëve në pikat e kalimit kufitar në periudhën e pandemisë, masat e marra dhe zbatimin e tyre.
Voda tha në lidhje me numrin e emigrantëve të paligjshëm se këtë vit ka qenë në rritje në krahasim me vitin e kaluar, për periudhën janar dhe 15-ditëshi i parë i muajit mars.
“Ka pasur një rënie të numrit gjatë periudhës së shpalljes së gjendjes së pandemisë por kontrollet tona në kufi kanë qenë të vazhdueshme edhe gjatë kësaj periudhe” theksoi Voda.
Komisioni vijoi me pyetje në lidhje me bashkëpunimin me vendet e tjera kufitare, masat mbrojtëse të parandalimit në kufi, respektimit të protokolleve, kontrollet kufitare etj. /atsh