“Puna e bërë gjatë viteve të fundit është më e madhja gjatë këtyre 10 viteve për të luftuar fenomenin e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, kanabisit”.
Kështu u shpreh sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili zhvilloi sot një takim me drejtorët qendrorë e vendorë të Policisë së Shtetit, si dhe prefektët e qarqeve në vijim të punës për të goditur tentativat për kultivim të kanabisit në vend.
“Megjithë rezultatet e shënuara në këtë drejtim, ky fenomen nuk është çrrënjosur plotësisht. Pra, nuk janë dorëzuar të gjithë ata që duhet të dorëzohen përballë kësaj lufte të policisë dhe të organeve të tjera shtetërore. Në të njëjtën kohë duhet të theksoj që pikërisht për këtë, përpjekja duhet të vazhdojë me intensitet të lartë”, tha Lleshaj.
“Sigurisht viti 2020 ka specifikat e veta që lidhen me angazhimin e madh të policisë dhe strukturave të tjera të shtetit në përballimin e pandemisë. Por, me masat e marra deri tani e në vijim shtrohet nevoja që përpjekja të intensifikohet në maksimum për arsye se edhe risku rritet përballë faktit që tashmë liria e lëvizjes në vend është e garantuar, në kuptimin e kufizimeve të hequra tashmë. Për këtë arsye kërkohet angazhim i plotë i të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit”, u shpreh ai.
“Lufta kundër kanabisit në Shqipëri do të thotë në radhë të parë luftë e Policisë së Shtetit ndaj personave që kanë përgjegjësi për administrimin korrekt të territorit në çdo centimetër të katror të vendit. Kam theksuar dhe dua ta përsëris kërkesën e prerë dhe të qartë lufta kundër kanabisit nuk është një përpjekje e veçantë, e izoluar, ekskluzive e Policisë së Shtetit, por është një përpjekje e të gjithë institucioneve, ku policia ka rol kryesor, por ku institucionet e tjera kanë rol të rëndësishëm. Theksoj me rëndësi të madhe detyrat që ka pushteti vendor, njësitë administrative, bashkitë nën koordinimin e prefekturave, e prefektëve për të kontrolluar dhe menaxhuar me korrektesë, me seriozitet të lartë çdo pëllëmbë të territorit”, theksoi Lleshaj.
“Puna e Policisë duhet të fokusohet në radhë të parë ndaj atyre që nuk ushtrojnë përgjegjësitë e tyre ligjore. Policia nuk është vetëm për t’u marrë me bimët, – e përsëris, e kam përsëritur, do vazhdoj ta përsëris, – policia është për t’u marrë në radhë të parë me personat që kanë përgjegjësi për territorin. Kush ka përgjegjësi për territorin dihet, territori i RSH është ose në duar publike, ose në duar private. Çdo rast kultivimi në sipërfaqe private është përgjegjësi e pronarëve të asaj sipërfaqe toke. Çdo bimë e kultivuar në sipërfaqe publike është përgjegjësi e administratorëve publikë të asaj sipërfaqeje. Policia është këtu në radhë të parë për t’u kujdesur që administratorët publikë apo privatë, të bëjnë detyrën e tyre përballë ligjit dhe nëse s’e bëjnë atë detyrë, të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh ministri Lleshaj.
“E para, vënia para përgjegjësisë e administratorëve; e dyta, zhvillimi i operacioneve policore, operacioneve të monitorimit dhe operacioneve të goditjes në të gjitha vendet ku risku është i lartë, apo ku informacionet janë. Për këtë kërkohet angazhim i gjithë strukturave të Policisë së Shtetit, duke filluar me strukturat e policisë kriminale, e duke vijuar pastaj me Policinë e Rendit me të gjitha strukturat e tjera përfshire edhe strukturat e kufirit dhe migracionit, të cilat për territorin që kanë zona përgjegjësie duhet të angazhohen me përgjegjësi të lartë”, tha Lleshaj.
“Së treti, është ballafaqimi, përballja me të keqen brenda vetes. Sigurisht që fenomenet e kultivimit të kanabisit, apo fenomene të tjera kriminale në vend lidhen në një farë mase me punën e pamjaftueshme, nganjëherë punën e keqe, nganjëherë punën kriminale të elementëve të caktuar edhe vetë brenda radhëve të Policisë të cilët duhet të identifikohen dhe të vihen para përgjegjësisë. Në këtë kuadër merr rëndësi të madhe angazhimi i të gjithë drejtuesve të policisë në këtë front, përfshirë edhe SHÇBA-në, e cila e ka për detyrë primare ligjore goditjen e fenomeneve të inkriminimit të punonjësve të caktuar të policisë. Kemi patur vitin e kaluar disa raste punonjësish policie të cilët janë proceduar penalisht për moskryerjen e detyrës dhe përfshirje aktive në bashkëpunim me element kriminalë. Ka patur edhe sivjet punonjës policie të përfshirë, por janë marrë disa masa shtrënguese, masa sigurimi, procedime penale, që do vijojnë fal punës suaj”, u shpreh ai.
“Në komunikimin publik duhet të bëhet përpjekje për të sqaruar dhe evituar keqkuptimet që nxiten nganjëherë edhe qëllimisht nga faktorë të caktuar lidhur me diskutimin publik që po bëhet për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe kultivimi apo trafikimi ilegal i tij janë dy çështje, të cilat nuk lidhen asgjëkund me njëra-tjetrën. Duhet angazhim maksimal në informimin e publikut për të mos u konfonduar këto dy gjëra. Nga disinformimi, manipulimi publik i opinionit nganjëherë mund të bien viktimë. Qëllimi jonë nuk është të mbushim burgjet plot me njerëz, por qëllimi është të parandalohet ky fenomen. Njerëzit duhen sqaruar që kjo nuk është alternativë. Kanabisi është i vdekur në Shqipëri në kuptimin ilegal të tij, kjo duhet të jetë e qartë. Diskutimi për legalizimin e kanabisit mjekësor vetëm sa i shton detyrat, përgjegjësisë e policisë dhe strukturave të tjera të shtetit për të frenuar përdorimin, kultivimin dhe trafikimin e kësaj bime narkotike”, tha Lleshaj.
“Operacioni Forca e Ligjit ka marrë shpejtësi të re dhe në kuadër, duhet që të gjitha institucionet shtetërore që kanë përgjegjësi, të marrin masa për të rritur bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, në funksion të plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm që kërkohet për të gjitha procedimet administrative që kryhen në kuadër të OFL. Këtu kanë përgjegjësi të madhe edhe strukturat vendore, të kadastrës, tatimeve, doganave etj., të cilat duhet të shpejtojnë punën dhe të rrisin cilësinë e këtij bashkëpunimi, me qëllim që OFL të marrë shpejtësinë maksimale. Në këtë kuadër edhe SHÇBA duhet të shtojë punën për të monitoruar rolin që luajnë të gjithë aktorët”, u shpreh ai.
“Çështje tjetër është puna për kontrollin e kufirit dhe migracionit të paligjshëm, pasi presioni migrator drejt Shqipërisë mund dhe do të ketë rritje. Prandaj strukturat përgjegjëse sidomos të policisë kufitare duhet të rrisin nivelin e angazhimit për monitorim, identifikim, parandalim, bllokim, goditje të të gjithë këtyre flukseve të paligjshme dhe sidomos goditje të rrjeteve të trafikimit”, tha Lleshaj.
“Për turizmin, dihet që vendi ka përjetuar një goditje të rëndë, ashtu si çdo vend tjetër, në parametrat ekonomikë, të cilat janë impaktuar prej masave shtrënguese dhe mosfunksionimit normale të shumë bizneseve, por tashmë pritet që hapja e sezonit turistik të shënojë një mundësi e re për të balancuar tendencat e përmirësimit ekonomik të vendit. Procesin e hapjes turistike të vendit ta shoqërojmë me masa shumë të forta në drejtim të sigurisë të flukseve turistike drejt vendit tonë, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore, me ato të shëndetësisë, por edhe me inspektoratet e tjera. Të merren masa që vija bregdetare e vendit të mos humbë asnjë cm2 nga zaptimet e krimit. Për këtë qëllim duhet të fillojë puna për inspektimin e të gjithë sipërfaqes bregdetare me qëllim që atje të mos ngulet asnjë çadër pa leje. Nëse kjo do të ndodhë, pra që të ngulen çadra pa leje, duhet të jeni të gatshëm për të shkulur nga karrigia, nga zyra, nga posti zyrtar, ata persona që kanë përgjegjësi për atë territor. E njëjta logjikë si kundër bimëve narkotike duhet të aplikohet edhe ndaj vendosjes së çadrave në mënyrë të paligjshme. Bimë narkotike duhet ta konsideroni edhe një çadër të ngulur pa leje në plazh. Këtu duhet të ketë tolerancë zero, shkëmbim informacioni në çast dhe prefektët duhet të mbledhin Taskforcën për turizmin”, theksoi Lleshaj.
Ministri u shpreh se, duhet të shtohen masat për luftën ndaj krimit mjedisor, i cili i sjell dëme interesit publik, qytetarëve, vendit në tërësi, shumë herë më tepër sesa disa figura të tjera të krimit me të cilat ne merremi shumë. Prandaj duhet të shtohen masat në bashkëpunim me IKMT, e cila tashmë është strukturë e policisë, “de facto”, që vijojë përditë kontrolli dhe goditja e fortë e çdo rasti të dëmtimit të mjedisit duke u fokusuar së pari te vijat ujore të vendit, lumenjtë, përrenjtë, vija bregdetare dhe liqenet. IKMT duhet të marra masa për t’i dënuar me gjobat më të rënda që parashikon ligji, këtë kategori shkelësish dhe dhunuesish të shtëpisë sonë të përbashkët. Gjithashtu duhet të shtohen masat për parandalimin e zjarreve. Policia duhet të identifikojë zjarrvënësit e qëllimshëm dhe t’i vendosë para përgjegjësisë. Po kështu, inspektorët e pyjeve duhet të kenë përgjegjësi për zonat që mbulojnë”./atsh