Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pati sot një takim me përfaqësues nga Shoqata e Pronarëve, me të cilët, siç u shpreh “ndau shqetësimin për qëndrimin dhe lobimin negativ të qeverisë Rama për çështjen e pronave”.
“I gjithë korpusi ligjor dhe veprimet e qeverisë Rama, kanë qenë kundër pronës private dhe në shërbim të planeve korruptive të biznesmenëve të lidhur me të, pjesë e të cilit është edhe ligji i investimeve strategjike në vitin 2015. Sikundër dhe ligji i ri i pronave i cili e trajton pronën private të individit si një mall në shportën e oligarkëve, pa pasur respekt për shenjtërinë e pronës dhe zotëruesit e saj”, u shpreh Basha.
Duke pranuar përgjegjësitë e PD në të shkuarën për këtë çështje, Basha u shpreh se “i sigurova përfaqësuesit e shoqatës së pronarëve se qeveria e ardhshme do të mundësojë një zgjidhje përfundimtare sipas standardeve europiane për pronarët, gjithmonë në konsultim me ta”.
“Së bashku me ta u dakordësuam për të hartuar një projekt të qartë dhe gjithashtu piketat kyçe të një projektligji që do të zëvendësojë korpusin kriminal të projektligjeve në lidhje me pronën, të miratuar nga qeveritë Rama. Nën koordinimin e zonjës Ledina Mandia, ne do të ndihmojmë dhe do të ideojmë së bashku me shoqatën e pronarëve një korpus ligjor që do të përpiqet të japë zgjidhjen e duhur për pronën në Shqipëri”, – nënvizoi Basha. /atsh